“Shëndosh si molla” – Faton Klinaku u bë invalid i luftës me një dokument ku thuhet se traktori ia kishte ndrydhur këmbën!

Lista e veteranëve të UÇK-së që nga paslufta është fryrë tej mase, duke arritur rreth 60 mijë persona. Për këtë çështje, Gjykata Themelore në Prishtinë tashmë ka nxjerrë aktgjykim, ku janë dënuar disa prej komandantëve të UÇK-së dhe përfaqësues të organizatave të dala nga lufta.

Megjithatë, përveç fryrjes së listës së veteranëve, si duket një gjë e tillë ka ndodhur edhe me invalidët e luftës, ku shumë ish-ushtarë të UÇK-së, përmes manipulimeve të ndryshme, kanë arritur të përfitojnë statusin e invalidit dhe të marrin pension invalidor.

E ndoshta për shumëkënd kjo duket paradoksale, por vetë kryetari i OVL-UÇK-së, Faton Klinaku, është invalid i luftës – edhe pse nga paraqitja e tij fizike duket “shëndoshë si molla”.

KosovaNews ka siguruar një dokument të dhjetorit të vitit 2017, me të cilin Klinaku kishte aplikuar për pension invalidor.

Sipas këtij dokumenti, thuhet se Klinaku, më 5 dhjetor 1998, gjatë kryerjes së detyrës ushtarake (furnizim me ushqim për ushtarë), i është shkelur këmba nga një traktor, me ç’rast kishte pësuar lëndime trupore (ndrydhje).

Si rezultat i kësaj, sipas dokumentit të nënshkruar nga mjeku Dr. Behxhet Klinaku, Faton Klinaku është diagnostikuar me:
“Shtypje dhe gjakderdhje kapilare në zonën e kofshës së këmbës (Contusio corporis et hematoma regio coxae femoralis lat. sin.)”.

Në bazë të kësaj diagnoze shihet se me rastin e atij “aksidenti”, Klinaku kishte vetëm ndrydhje (verenik) dhe nuk kishte dëmtime të përhershme apo thyerje të kockës, çka normalisht nuk shkakton invaliditet të përhershëm.

Gjithashtu, dokumenti i lëshuar nga Shërbimi Sanitar i Zonës Operative të Shalës, Brigada 142, thotë se Klinakun, në shërbimin e sanitetit, e kishte sjellë ushtari Jeton Klinaku, i cili më pas kishte marrë ndihmën e parë dhe është trajtuar në spitalin ushtarak të zonës.

Është interesante se si mjeku ashtu edhe dëshmitari, që thuhet ta ketë dërguar për ndihmën e parë, mbajnë të njëjtin mbiemër – Klinaku, çka e bën tepër të dyshimtë këtë rast.

KosovaNews ka kontaktuar z. Klinaku për ta pyetur nëse është invalid i luftës, çfarë shkalle invaliditeti ka dhe nëse merr pension invalidor.

Ndërkaq, në një përgjigje të shkurtër përmes telefonit për KosovaNews, Klinaku nuk e mohoi statusin e tij si invalid i luftës, por theksoi se detajet mund të gjenden në dokumentet zyrtare të Drejtorisë për Mirëqenie Sociale, që vepron në kuadër të Qeverisë së Kosovës.

“Nuk kam çfarë të deklaroj. Nëse je gazetar hulumtues, shko hulumto. Të gjitha i ke të publikuara në Drejtorinë e Mirëqenies Sociale, që është në kuadër të Qeverisë. Nuk ke çfarë të marrësh nga mendimi im”, tha Klinaku për KosovaNews.

Ndërkohë, kujtojmë se sot në Gjykatën Themelore të Prishtinës ka nisur seanca gjyqësore ndaj Faton Klinakut dhe Nuredin Selmanit, të dyshuar për kanosje ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, gjatë vitit 2023. Klinakut po ashtu i ishte ngritur aktakuzë për dhunë në familje gjatë vitit 2022.

The post “Shëndosh si molla” – Faton Klinaku u bë invalid i luftës me një dokument ku thuhet se traktori ia kishte ndrydhur këmbën! appeared first on Kosovapost.net.