Shkeljet që i atribuohen përfshijnë: shkelje të etikës profesionale, dëmtim të reputacionit të institucionit, mospërmbushje të detyrave të punës, neglizhencë dhe mosrespektim të afateve të raportimit.
Pas publikimit të vendimit, Shemsi Elezi ka reaguar ashpër, duke bërë akuza të drejtpërdrejta ndaj drejtorit të përgjithshëm të AKK-së, Seladin Beqa.
Elezi për Telegrafin thotë se Beqa ka dy aktakuza aktive për veprat penale gjatë ushtrimit të detyrës së tij në Autoritet, njëra për sulm fizik ndaj Elezit dhe tjetra për pengim të ushtrimit të drejtësisë nga një palë tjetër.
Sipas Elezit, Beqa nuk është pezulluar në kohën e duhur, por madje është ngritur në pozitën e drejtorit të përgjithshëm pas këtyre ngjarjeve.
Elezi shton se që nga ngritja e Beqës në pozitë, ai ka qenë subjekt i pengesave të vazhdueshme në punë, përfshirë masa disiplinore të përsëritura, vërejtje me shkrim, komisione disiplinore dhe ndërhyrje të padrejta nga drejtuesit e lartë të institucionit.
Ai deklaron se ka bërë kallëzime penale dhe ka kërkuar vazhdimisht zbatimin e ligjit për zyrtarët publikë, por pa sukses.
Elezi thekson se ai ka ndjekur të gjitha rrugët ligjore për mbrojtje, duke përfshirë institucionet e pavarura si Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës i Kosovës, Agjencia Antikorrupsion, Departamenti i Menaxhimit Zyrtar Publik, si dhe Avokatin e Popullit.
Ai vlerëson se ka vepruar si sinjalizues i mbrojtur me ligj, duke raportuar shkeljet dhe abuzimet brenda institucionit, por që veprimet e tij janë injoruar ose penguar nga Beqa dhe udhëheqësia e AKK-së.
Sipas Elezit, vendimi i Komisionit Disiplinor është i motivuar politikisht dhe ka për qëllim të pengojë të drejtat e tij ligjore, përfshirë qasjen në dokumente dhe pjesëmarrjen në procedurat e punës.
Ai thotë se provat e paraqitura nga ai nuk janë marrë parasysh dhe se vendimi pengon veprimtarinë e tij të mëtejshme si inspektor hetues.
Autoriteti i Konkurrencës ende nuk ka dhënë një koment publik lidhur me deklaratat e Elezit dhe vendimin e Komisionit Disiplinor, ndërsa çështja pritet të ketë zhvillime të mëtejshme ligjore dhe disiplinore.