Shembja e kulmit të stacionit në Novi Sad po e “shemb” pushtetin e Vuçiqit

Pas dorëheqjes së kryeministrit, Millosh Vuçeviq, Aleksandar Vuçiq, do të nisë konsultimet me partitë politike, për qeveri të re brenda 30 ditësh, ose zgjedhje të reja pas 75 ditësh.

Drejtimi i rrugës pa kthim në të cilën e ka detyruar të futet protesta masive në Beograd, sipas Vuçiqit pritet të përcaktohet pas 10 ditësh.

Kjo është oferta e Vuçiqit ndërsa kërkesat nga terreni na sjellë profesori universitar, Ivan Videnovic.

Qeveri kalimtare, zgjedhje fer dhe demokratike, vazhdim të mësimit për studentët, e zgjidhje për pronësinë e kompanisë së naftës NIS, e cila është nën sanksione amerikane për shkak të pronësisë ruse.

Por, pos krejt këtyre ajo çka është vërejtur në këto protesta janë edhe flamuj të Serbisë me territorin e Kosovës me porosinë, “Nuk ka dorëzim”.

Këto parulla sipas Videnoviqit nuk janë e vërteta e protestës dhe përfaqësohen nga një pakicë e papërfillshme.

“Isha kundër këtyre synimeve agresive kundër fqinjëve tanë, kundër Kosovës, Bosnje Hercegovinës, e gjithë kjo është pjesë e folklorizmit-nacionalist, i cili nuk është zhdukur plotësisht nga kjo protestë. Mund ta shihni aty-këtu por shumica dërmuese e njerëzve nuk janë dakord me të, ata pajtohen dhe kanë synim vetëm kërkesat e tyre dhe porositë për sundim të ligjit, luftim të korrupsionit, transparencë për kontratat dhe marrëveshjet sekrete me shtete dhe kompani specifike që bëjnë biznese këtu, të kamufluara si marrëveshja të fshehta ose me interes strategjik”, ka thënë aVidenoviq.

Protestat pas shembjes së stacionit hekurudhor që vrau 15 njerëz në Novisad do të vazhdojnë, ndërsa Videnoviq e vlerëson sukses dorëheqjen e Kryeministrit, por insiston në kërkesat që kanë, sidomos pasi zbuluan se ka kontrata sekrete që ndërlidhen me stacionin në Novisad e që del se nuk janë bërë publike siç po pretendon Vuçiqi.