Shekerinska: Për rrugën drejt NATO-s duhen kompromise politike të kushtueshme

Kompromiset e vështira janë ato që nevojiten të bëhen për rrugën drejt përfshirjes në programin Partneritet për Paqe, ka thënë zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s. Radmila Shekerinska. Në një intervistë për KOHËN, ajo ka ripotencuar se siguria në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor mbartë peshë e rëndësi të madhe për Aleancën Veriatlantike. Ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi si dhe për marrëveshjen ushtarake të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë.

Zëvendëssekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka vlerësuar se rruga e Kosovës për t’u bërë pjesë e programit të Aleancës, Partneritet për Paqe, kërkon kompromise të vështira.

Në një intervistë për KOHËN, ajo e ka përmendur shembullin e shtetit të saj, Maqedonisë së Veriut, që është bërë pjesë e Aleancës Vetiatlantike ushtarako-politike në mars të 2020-s.

Megjithëse për këtë synim Maqedonia e Veriut është detyruar t’i ndërrojë emrin dhe kushtetutën, Shekerinska ka theksuar se kompromiset ia kanë vlejtur.

“Nëse e dini synimin, nëse dini se cili është interesi i vendit dhe popullit tuaj, e në rast se përqendroheni në këtë synim, ndonjëherë kompromiset janë të dhembshme por ia vlejnë… Andaj, po, kompromiset politike janë të kushtueshme, janë të kushtueshme për ne si politikanë porse janë përherë përfituese për qytetarët dhe mendoj se mesazhi që e dërguam është se shteti është më i rëndësishëm se sa ne”, tha Shekerinska.

Zëvendësja e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, ka folur edhe për dialogun Kosovë-Serbi, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

Në këtë rrafsh, ajo ka shprehur pritjen që si Kosova, ashtu edhe Serbia të demonstrojnë vullnet politik për përparim.

“Nuk ka zgjidhje magjike, nuk ka përparime që NATO-ja apo BE-ja mund t’i ofrojnë. Duhet të ketë vullnet politik si në Beograd ashtu edhe në Prishtinë për përparim. E kemi vlerësuar progresin që është arritur në të shkuarën por besojmë se tani duhet të ecim përpara dhe kjo është ajo që ne dëgjojmë se është pritja nga ana e BE-së”, tha Shekerinska.

Si pritje nga Serbia, ajo ka përmendur nevojën për llogaridhënie rreth sulmit në Banjskë dhe atij në Zveçan ndaj KFOR-it, në të cilin patën mbetur të lënduar mbi 90 pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë.

E si garanci të përkushtimit të vazhdueshëm të KFOR-it, ajo e ka potencuar vizitën e kohëmëparshme të sekretarit Rutte si dhe të të gjithë ekipit të Këshillit Veriatlantik në Kosovë.

Misionin e NATO-s në Kosovë, zëvendëssekretarja e Përgjithshme Shekerinska e ka kualifikuar si dëshmi që rajoni i Ballkanit Perëndimor ka rëndësi dhe peshë të madhe për vendet e Aleancës Veriatlantike.

Intervistën e plotë të zëvendëssekretares së përgjithshme të NATO-s, Radmila Shekerinska, mund ta ndiqni të hënën në emisionin “60 minuta” në KTV.