Shekerinska: NATO s’i komenton deklaratat e Vuçiqit për luftë, jemi në Kosovë për ta garantuar sigurinë

Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme e NATO-s, Radmila Shekerinska, ka folur mbi deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, të bëra këtyre ditëve se do të ketë luftë.

Shekerinska tha se si aleancë shumë e fuqishme ushtarake dhe politike, përpiqen që të përmbahen nga komentimi i komenteve të caktuara nga politikanët.

“Ne jemi atje dhe kemi mbështetur misionet e KFOR-it sepse besojmë se siguria në rajon është thelbësore. Ajo ndikon jo vetëm në vendet e rajonit, jo vetëm në qytetarët, por ndikon edhe në stabilitetin dhe sigurinë e aleancës”.

“Dhe ne jemi atje për të garantuar sigurinë e të gjitha komuniteteve në Kosovë, por edhe lirinë e lëvizjes së tyre. Dhe ne besojmë që duke u bazuar në përvojën tonë në të kaluarën, kemi arritur ta mbështesim këtë qëllim”, tha Shekerinska në një intervistë ekskluzive me gazetarin e Klan Kosovës, Liridon Zeqirin.

Tutje, ajo u shpreh se NATO i ka kërkuar Beogradit dhe Prishtinës që të angazhohen më tepër në dialogun e udhëhequr nga BE-ja, duke thënë se në vend që të diskutohen deklaratat dhe të komentohen ato, gjëja thelbësore është angazhimi në dialog.

“Ne u kemi kërkuar Beogradit dhe Prishtinës të angazhohen shumë më tepër në dialogun e udhëhequr nga BE-ja. Dhe ne besojmë se kjo është receta, në vend që të diskutojmë deklaratat dhe të komentojmë deklaratat, ne besojmë se gjëja thelbësore është vërtet të angazhohemi në një dialog që do të trajtojë çështjet e vështira”.

“Dhe ndërsa e diskutojmë këtë, duhet të sigurohemi gjithashtu që të gjitha angazhimet që u morën më parë gjatë ndërmjetësimeve dhe gjatë dialogut të respektohen dhe zbatohen”, tha ajo.