Sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, ka shprehur “alarm” të thellë në lidhje me përshkallëzimin e fundit të tensioneve midis Izraelit dhe Iranit mes një shkëmbimi sulmesh ajrore, transmeton Anadolu.
“Mbetem thellësisht i alarmuar nga përshkallëzimi i vazhdueshëm ushtarak në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe Iranit”, tha Guterres në një deklaratë përmes zyrës së zëdhënësit të tij.
Duke përsëritur thirrjen për një “de-përshkallëzim të menjëhershëm që çon në një armëpushim”, Guterres tha se, “U bëj thirrje fuqishëm të gjithëve që të shmangin çdo ndërkombëtarizim të mëtejshëm të konfliktit”.
“Çdo ndërhyrje shtesë ushtarake mund të ketë pasoja të mëdha, jo vetëm për ata që janë të përfshirë, por për të gjithë rajonin dhe për paqen dhe sigurinë në përgjithësi”, tha Guterres.
Duke dënuar “humbjen tragjike dhe të panevojshme të jetëve dhe lëndimeve të civilëve”, si dhe të infrastrukturës civile, shefi i OKB-së riafirmoi se “diplomacia mbetet mënyra më e mirë dhe e vetme për të adresuar shqetësimet në lidhje me programin bërthamor të Iranit dhe çështjet e sigurisë rajonale”.
“Karta e OKB-së mbetet korniza jonë e përbashkët për të shpëtuar njerëzit nga plaga e luftës”, tha ai, duke i nxitur “të gjitha shtetet anëtare të zbatojnë plotësisht kartën dhe ligjin ndërkombëtar, përfshirë ligjin ndërkombëtar humanitar”.
Në përgjigje të pyetjes nëse Guterres është i shqetësuar për një sulm të mundshëm të SHBA-së në një strukturë bërthamore iraniane, zëdhënësi i shefit të OKB-së, Stephane Dujarric, tha në një konferencë për media se shefi i OKB-së është “shumë i shqetësuar” dhe përsëriti nevojën për të “shmangur çdo ndërkombëtarizim të mëtejshëm” të konfliktit.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar që nga e premtja, kur Izraeli nisi sulme ajrore ndaj shumë lokacioneve në të gjithë Iranin, duke përfshirë strukturat ushtarake dhe bërthamore, pas çka Teherani nisi sulme hakmarrëse.
Të paktën 585 persona janë vrarë dhe 1.326 të tjerë janë plagosur në Iran që kur Izraeli nisi sulmet.
Autoritetet izraelite, nga ana tjetër, thanë se të paktën 24 persona janë vrarë dhe qindra të tjerë janë plagosur që atëherë në sulmet me raketa iraniane.
The post Shefi i OKB-së kërkon shmangien e “çdo ndërkombëtarizmi të mëtejshëm” të konfliktit Izrael-Iran appeared first on Kosovapost.net.