Shefi i OKB-së, Antonio Guterres, paralajmëroi se Rripi i Gazës po lihet në uri para syve të botës, duke e cilësuar këtë situatë si pjesë të një “realiteti sistematik” më të gjerë që po shkatërron themelin për paqe në Lindjen e Mesme, raporton Anadolu, transmeton KosovaPost.
“E vërteta është: jemi në pikën kulmore. Zgjidhja me dy shtete është më larg se kurrë më parë”, tha Sekretari i Përgjithshëm në një konferencë të nivelit të lartë në selinë e OKB-së në New York.
“Asgjë nuk mund ta justifikojë shkatërrimin e Gazës që po ndodh para syve të botës. Uria e popullsisë”, theksoi ai.
Guterres shtoi se “aneksimi i ngadalshëm i Bregut Perëndimor të pushtuar është i paligjshëm. Duhet të ndalet. Shkatërrimi i plotë i Gazës është i patolerueshëm. Duhet të ndalet”.
“Këto nuk janë ngjarje të izoluara. Ato janë pjesë e një realiteti sistematik që po çmonton blloqet e ndërtimit të paqes në Lindjen e Mesme”, tha ai.
Ai i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të veprojë me vendosmëri për t’i dhënë fund pushtimit dhe për të mbështetur përpjekjet për paqe.
“Konferenca e sotme është një mundësi e rrallë dhe e domosdoshme. Duhet të sigurohemi që të mos bëhet një tjetër ushtrim i retorikës qëllimmirë por pa veprime konkrete”, tha ai.
The post Shefi i OKB-së: Asgjë nuk mund ta justifikojë shkatërrimin e Gazës që po ndodh para syve të botës appeared first on Kosovapost.net.