Shefi i NATO-s, Mark Rutte, talli Rusinë të hënën për gjendjen “e çaluar” të njërës prej nëndetëseve të saj, ndërsa autoritetet ruse mohuan se ajo ishte detyruar të dilte në sipërfaqe për shkak të problemeve teknike.
Flota ruse e Detit të Zi tha se nëndetësja me motor nafte Novorossiysk kishte dalë në sipërfaqe pranë Francës për t’iu përmbajtur rregullave të lundrimit në Kanalin Anglez, dhe hodhi poshtë raportet se kishte pësuar një mosfunksionim serioz.
Por autoritetet holandeze thanë në fundjavë se nëndetësja ishte nën tërheqje në Detin e Veriut. Dhe Rutte, në një fjalim në Slloveni, tha se anija ishte “e prishur”, transmeton Telegrafi.
“Tani, në fakt, mezi ka mbetur ndonjë prani detare ruse në Mesdhe. Ka një nëndetëse ruse të vetmuar dhe të prishur që po kthehet në shtëpi nga patrullimi”, tha ai.
“Çfarë ndryshimi nga romani i vitit 1984 i Tom Clancy-t ‘Gjuetia për Tetorin e Kuq’. Sot, duket më shumë si gjuetia e mekanikut më të afërt”, tha ai.
VChK-OGPU, një kanal i fshehtë në Telegram që publikon rrjedhje të supozuara të informacionit rus të sigurisë, raportoi më 27 shtator se karburanti po rridhte në rezervuarin e Novorossiysk, duke rritur rrezikun e një shpërthimi.
Komanda Detare e NATO-s publikoi fotografi, të asaj që tha se ishte një fregatë e marinës franceze që vëzhgonte një nëndetëse ruse që operonte në sipërfaqen e brigjeve të Bretanjës.
“NATO është gati të mbrojë Aleancën tonë me vigjilencë të vazhdueshme dhe vetëdije detare përtej Atlantikut”, postoi ajo në X, pa e emërtuar nëndetësen.
Të shtunën, ministria holandeze e Mbrojtjes tha se marina holandeze kishte shoqëruar Novorossiysk dhe një anije tërheqëse shoqëruese, Yakov Grebelsky, në Detin e Veriut.
Flota ruse e Detit të Zi tha të hënën se nëndetësja po kryente një “tranzit të planifikuar ndër-flotë” pas përfundimit të detyrave në Mesdhe.
Agjencia shtetërore e lajmeve TASS tha se anija, e cila hyri në shërbim në vitin 2014, ishte pjesë e një grupi nëndetësesh që mbajnë raketa lundrimi Kalibr.