Shefi i NATO-s, Rutte: Të mos harrojmë se Evropën dhe NATO-n nuk i përbën vetëm BE-ja

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, beson se Bashkimi Evropian nuk duhet të bëhet plotësisht i pavarur nga Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, pavarësisht qëndrimit të marrë për këtë çështje nga qeveria e presidentit amerikan, Donald Trump.

Shtetet e Bashkuara presin që Evropa të marrë më shumë përgjegjësi dhe të shpenzojë më shumë para për mbrojtjen, tha Rutte për dpa në një intervistë të fundit, raporton tagesspiegel.

“Jam absolutisht i bindur se SHBA-ja është plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s. Nuk ka asnjë dyshim. Pritshmëritë janë rritur. Në të vërtetë, ne duam të shpenzojmë më shumë, Evropa do të marrë më shumë përgjegjësi”, tha ai.

Ish-kryeministri i Holandës theksoi samitin e NATO-s në Hagë në muajin qershor, ku të gjithë aleatët ranë dakord për rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen në 5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në vitin 2035.

“Mendoj se kjo është ende një nga fitoret më të mëdha të politikës së jashtme të presidentit Trump, këto 5 për qind, një përkushtim i qartë ndaj prodhimit më të madh”, tha Rutte dhe shtoi se “shtatëdhjetë e pesë për qind e ndikimit ekonomik është ende jashtë BE-së”.

Duke pranuar rëndësinë e BE-së, ai vuri në dukje se 23 vendet e BE-së brenda NATO-s përbëjnë vetëm rreth një të katërtën e ndikimit të përgjithshëm ekonomik të aleancës.

“Shtatëdhjetë e pesë për qind është ende jashtë BE-së”, tha ai, duke iu referuar anëtarëve të NATO-s si Britania, Norvegjia, Kanadaja dhe SHBA-ja. /Periskopi/