Shefi i BE-së aludon që Kuvendi s’është konstituuar: Të respektohen proceset kushtetuese dhe institucionet multietnike

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Aivo Orav, ka takuar kryetarin e ri të Kuvendit, Dimal Basha, me të cilin tha se e ka diskutuar nevojën për respektim të proceseve kushtetuese pasi Basha e shpalli Kuvendin të konstituuar edhe pa zgjedhjen e nënkryetarit serb – siç kërkohet me Kushtetutë.

Orav i tha Bashës që BE-ja do t’i ndihmojë Kosovës, ndërsa tha se formimi i Qeverisë dhe krijimi i komisioneve parlamentare është kyç për përfitimin e fondeve nga Plani i Rritjes, të cilat kanë mbetur peng për shkak të zvarritjes së formimit të Kuvendit e Qeverisë.

“U takova sot me Kryetarin e sapozgjedhur të Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha. Diskutuam për nevojën për të respektuar proceset kushtetuese dhe për të siguruar institucione gjithëpërfshirëse dhe shumetnike. BE është këtu për të mbështetur Kosovën – formimi i Qeverisë dhe komisioneve të Kuvendit është kyç për të ecur përpara me Planin e Rritjes”, tha ai.

Orav shtoi se presin “me padurim që këto zhvillime dhe Plani i Rritjes të sjellin përfitime konkrete socio-ekonomike për popullin e Kosovës përmes ndihmës shtesë financiare, integrimit ekonomik dhe reformave të përshpejtuara”.