Ish-zëdhënësi i NATO-s gjatë luftës në Kosovë, Jamie Shea, në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s tha se është zhgënjyes fakti që, edhe pse kanë kaluar 26 vjet, Serbia ende nuk ka kërkuar falje për krimet që ka bërë në Kosovë.
” Shumë nga figurat e qeverisë serbe sot erdhën në jetën politike gjatë epokës nacionaliste të Millosheviqit dhe kanë trashëguar pikëpamjen e tij të shtrembëruar për historinë serbe dhe jugosllave. Por shumë serbë në opozitë dhe në shoqërinë civile e dinë të vërtetën dhe unë nuk i kam hequr shpresat që në të ardhmen të krijohet një komision i përbashkët serbo-kosovar për të vërtetën historike dhe përgjegjësinë. Millosheviqi u padit nga GJNP për krime lufte në Kosovë dhe ky proces mblodhi, gjithashtu, shumë prova. Dhe vetë Vuçiq shkoi në Srebenicë në përvjetorin e korrikut disa vite më parë. Pra, le të ngulmojmë”, tha ai në një intervistë për RTKlive.
Shea mes tjerash komentoi edhe situatën aktuale të sigurisë në rajon.
“Situata në rajon është e tensionuar aktualisht për shkak të rezistencës kokëfortë të Milorad Dodik në Republikën Serbe të Bosnjës për të bashkëpunuar me institucionet shtetërore, pas dënimit të tij nga Gjykata e Lartë në Sarajevë. Gjithashtu, qeveria serbe sapo ka dhënë dorëheqjen në vazhdën e demonstratave më të mëdha që janë parë ndonjëherë në vend kundër një qeverie në detyrë. Ne kemi, gjithashtu, ndikimin e fatkeqësisë së tmerrshme të klubeve të natës në Maqedoninë e Veriut, e cila shpresojmë se nuk do të ketë pasoja politike destabilizuese. Por NATO po e vëzhgon situatën nga afër dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, sapo ka vizituar Bosnjën dhe Kosovën dhe është konsultuar me KFOR-in. Situata në rajon, aktualisht, nuk ofron shumë shpresë për përparim të menjëhershëm politik, por NATO, duke punuar ngushtë me BE-në, do të sigurohet që të ruhet mjedisi i përgjithshëm i sigurisë”, deklaroi, transmeton Klankosova.tv.