Shtetet e Bashkuara kanë hequr sanksionet që kishin vendosur në janar ndaj, Antal Rogan, kreut të kabinetit të kryeministrit hungarez, Viktor Orban. Sanksionet ishin vendosur nën akuzat për korrupsion dhe klientelizëm.
Në një njoftim të publikuar më 15 prill në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Thesarit u tha se Rogan është fshirë nga lista e sanksioneve.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka biseduar të martën me kryediplomatin hungarez, Peter Szijjarto, dhe e ka informuar atë me këtë vendim, tha zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce.
Dy kryediplomatët po ashtu kanë biseduar për forcimin e rreshtimit SHBA-Hungari për çështje kritike dhe për mundësitë e bashkëpunimit ekonomik, tha Bruce.
Orban dhe partia e tij, Fidesz kanë qenë në mesin e mbështetësve më të zëshëm në Evropë të presidentit amerikan, Donald Trump.
Më herët gjatë këtij viti, Uashingtoni njoftoi më 7 janar për sanksionet ndaj Roganit nën dyshimet se ai ishte përfshirë në korrupsion, duke thënë se ai “përdori rolin e tij për ta pasuruar veten dhe besnikët e partisë së tij”.
Ambasadori i atëhershëm amerikan në Hungari, David Pressman, kishte deklaruar se “korrupsioni sistematik po ndikon në vendimmarrjen e Hungarisë për çështje që kanë ndikim në sigurinë e SHBA-së dhe aleatëve tanë”.
Pressman u largua nga posti i ambasadorit para se Trump të merrte detyrën e presidentit më 20 janar.
Qeveria e Orbanit, që i ka quajtur sanksionet ndaj Roganit si “hakmarrje personale e ambasadorit”, ka mirëpritur njoftimin e ri të Uashingtonit për heqjen e sanksioneve, duke thënë se kjo është “shenjë e qartë se gjërat kanë ndryshuar në Uashington”.
Zëdhënësi i Qeverisë hungareze, Zoltan Kovacs, shkroi në X se vendimi “konfirmon ndryshimin e politikës amerikane me kthimin e Trumpit, duke zhbërë vendimet që Hungaria i sheh si vendime të padrejta që janë ndërmarrë në shenjë hakmarrjeje”./REL