SHBA tregon se çfarë duhet të bëjnë dy qeveritë, për të vazhduar dialogu Kosovë-Serbi

Kanë kaluar pothuajse pesë muaj që nga një vendim i qeverisë, i cili ndonëse është mirëpritur nga qytetarët e Kosovës, ka hasur në kundërshtimin e ndërkombëtarëve, shkruan Indeksonline.

Përveç Bashkimit Evropian, taksën 100% të vendosur për produktet serbe dhe boshnjake, e kanë kundërshtuar edhe amerikanët.

Pak kohë pas miratimit të kësaj mase dhe pezullimit nga ana e Serbisë të takimeve në kuadër të fazës së fundit të dialogut, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar pezullimin e taksës, nga e cila sipas tyre, nuk përfiton asgjë Kosova.

E këtë qëndrim, Amerika nuk e ka në plan ta ndryshojë.

Në një përgjigjeje për Indeksonline, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, ka bërë të ditur se qëndrimi i tyre “mbetet i pandryshuar”.

“Qëndrimi i qeverisë amerikane lidhur me taksat mbetet i pandryshuar”.

Që nga miratimi i taksës ndaj produkteve serbe dhe boshnjake, nuk është mbajtur asnjë takim mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut mes dy vendeve.

Sipas tyre, kreativiteti dhe fleksibiliteti i dy qeverive është më se i nevojshëm në këtë kohë.

”Shtetet e Bashkuara i kanë inkurajuar qeveritë e Kosovës dhe Serbisë që të jenë edhe kreative edhe fleksibile në qasjen e tyre ndaj këtyre negociatave – këto cilësi nevojiten tash më shumë se kurdo për të sjellë palët prapa te tavolina e negociatave”.

Përkundër kërkesës së ndërkombëtarëve, kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, ka deklaruar se nuk do e heqë taksën ndaj produkteve serbe dhe boshnjake deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.

Kërkesës së ndërkombëtarëve për heqjen/pezullimin e taksës i janë bashkangjitur edhe disa liderët të tjerë kosovarë.