Sulmet e të shtunës kishin në shënjestër “disa liderë Houthi dhe i eliminuan ata”.
Sulmet në Yemen kanë vrarë “disa udhëheqës kryesorë Houthi”, tha Shtëpia e Bardhë të dielën, duke paralajmëruar Iranin, një mbështetës i grupit rebel jemenas, se “mjaft është mjaft”.
Sulmet e të shtunës kishin në shënjestër “disa liderë Houthi dhe i eliminuan ata”, tha për ABC News, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare i SHBA-ve, Mike Waltz.
Ai shtoi në një intervistë të dytë për Fox News se Shtetet e Bashkuara kishin goditur Houthi-t me “forcë dërrmuese”, duke paralajmëruar Iranin: “Mjaft është mjaft”.
“Të gjitha opsionet janë në tryezë” për të parandaluar Iranin nga marrja e armëve bërthamore, shtoi ai.
Shtetet e Bashkuara shënjestruan disa bastione Houthi të shtunën, duke përfshirë kryeqytetin Sanaa, duke vrarë të paktën 31 njerëz, përfshirë fëmijë, sipas një raporti të kryengritësve të së dielës.
Duke njoftuar sulmet të shtunën, presidenti amerikan Donald Trump u premtoi “ferrin” “terroristëve Houthi” pas kërcënimeve të tyre kundër tregtisë detare dhe Izraelit.
Ai gjithashtu i bëri thirrje Iranit që të përfundojë mbështetjen e tij për rebelët.
Houthi-t kërcënuan se do të hakmerreshin dhe Irani dënoi sulmet “barbare” duke hedhur poshtë kërcënimet e Trump-it.
Pas fillimit të luftës në Gaza, të shkaktuar nga një sulm i Hamas-it ndaj Izraelit më 7 tetor 2023, Houthi-t kryen disa sulme raketore “në solidaritet me palestinezët” kundër Izraelit dhe anijeve të akuzuara për lidhje me Izraelin.
Sulmet pushuan me hyrjen në fuqi të një armëpushimi në Gaza më 19 janar pas 15 muajsh lufte shkatërruese.
Por pasi Izraeli refuzoi të lejonte ndihmën humanitare në Gaza, rebelët njoftuan më 11 mars synimin e tyre për të rifilluar sulmet e tyre kundër anijeve tregtare që ata besojnë se janë të lidhura me Izraelin, në brigjet e Yemen-it.
Sulmet ndërprenë transportin në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, një zonë detare jetike për tregtinë globale, duke nxitur Shtetet e Bashkuara të vendosin një koalicion detar shumëkombësh dhe të godasin objektivat rebelë në Yemen, ndonjëherë me ndihmën britanike.
Sipas Pentagon-it, Houthi-t kanë “sulmuar anijet luftarake amerikane 174 herë dhe anijet tregtare 145 herë që nga viti 2023”.