SHBA-të i propozojnë OKB-së heqjen e sanksioneve ndaj al-Sharaa

Raportohet se projekt-rezoluta ka marrë mbështetje të gjerë brenda Këshillit të Sigurimit, por data e votimit ende nuk është caktuar.

Shtetet e Bashkuara kanë paraqitur një projekt-rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me synim heqjen e sanksioneve ndaj presidentit sirian Ahmad al-Sharaa dhe lehtësimin e kufizimeve për qeverinë e Damaskut.

Sipas draftit, Al-Sharaa dhe Anas Khattab do të hiqen nga listat e sanksioneve kundër ISIS dhe al-Kaedës, ndërsa qeveria siriane do të përjashtohet nga masat e mëparshme kundër grupeve “ekstremiste”.

Dokumenti parashikon gjithashtu importin e kufizuar të armëve nga vendet që bashkëpunojnë me IAEA dhe OPCW, në përputhje me standardet ndërkombëtare.

Raportohet se projekt-rezoluta ka marrë mbështetje të gjerë brenda Këshillit të Sigurimit, por data e votimit ende nuk është caktuar.

Një vit pas rrëzimit të Bashar al-Assad, Siria po përballet me sfidat e një epoke të re.

Në një intervistë ekskluzive për CBS News, presidenti i ri i vendit, Ahmed al-Sharaa, dikur i shpallur terrorist ndërkombëtar, flet për të kaluarën, paqen me Izraelin dhe ringritjen e një vendi të shkatërruar nga 14 vite lufte civile.

Marrëveshja e ndërmjetësuar nga administrata Trump mes Izraelit dhe Hamasit ka hapur një faqe të re në Lindjen e Mesme, ndërsa rrëzimi i regjimit të Assad-it, i mbështetur nga Irani dhe Rusia, ka ndryshuar balancat rajonale.

Në Siri, fitorja e forcave rebele në nëntor 2024 çoi në shpalljen e një “Sirie të lirë”, me al-Shara’an – ish-anëtar të Al-Qaeda-s dhe ish-i burgosur në Irak – në krye të një qeverie të përkohshme.

“Ne kemi shpëtuar popullin nga shtypja e regjimit kriminal. Sot, Siria është e lirë”, – deklaron ai, nga pallati presidencial ku dikur sundonte Assad.

Al-Sharaa, 42 vjeç, i njohur për të kaluarën e tij radikale, tani pozicionohet si lider i moderuar. Ai kërkon heqjen e sanksioneve ndërkombëtare, investime për rindërtimin dhe një marrëveshje sigurie me Izraelin që do të stabilizojë kufijtë veriorë.

Por vendi mbetet në krizë. Akuzat për masakra kundër civilëve, tensionet sektare dhe prania e milicive të armatosura kërcënojnë stabilitetin e brishtë të qeverisë së re.

“Siria nuk do të jetë kërcënim për askënd”, thotë ai. “Por bota ka detyrimin moral të ndihmojë në rindërtim”.

Kostoja e rindërtimit vlerësohet në 600-900 miliardë dollarë, ndërsa më shumë se 13 milionë sirianë mbeten të zhvendosur.

Nëse Ahmed al-Sharaa e mban fjalën për zgjedhje të lira dhe paqe të qëndrueshme, historia e tij e jashtëzakonshme – nga i kërkuar për terrorizëm në lider i një shteti – mund të shënojë fillimin e një kapitulli të ri për Sirinë dhe për Lindjen e Mesme.