Deklarata vjen pas thirrjes së Polonisë për aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut.
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara pranë NATO-s, Matthew Whitaker, ka reaguar pas shkeljes së hapësirës ajrore polake nga dhjetëra dronë rusë gjatë një sulmi të gjerë kundër Ukrainës.
“Ne mbështesim aleatët tanë në NATO përballë këtyre shkeljeve të hapësirës ajrore dhe do të mbrojmë çdo centimetër të territorit të Aleancës”, tha ai.
Deklarata vjen pas thirrjes së Polonisë për aktivizimin e Nenit 4 të Traktatit të Atlantikut të Veriut, i cili parashikon konsultime urgjente në rast kërcënimi ndaj integritetit territorial ose sigurisë së ndonjë shteti anëtar.
Ky nen parashikon që Këshilli i Atlantikut të Veriut të nisë menjëherë konsultime të mbrojtjes dhe të sigurisë në raste emergjente ose situata urgjente, kur “integriteti territorial, pavarësia politike apo siguria e ndonjë prej palëve është e kërcënuar”.
Aktivizimi i Nenit 4 është një prej masave më të forta politike që një shtet anëtar i NATO-s mund të ndërmarrë dhe zakonisht paraprin diskutime mbi opsione të rritjes së pranisë ushtarake, mbrojtjes ajrore apo masa të tjera të përbashkëta të sigurisë.
Polonia është më afër konfliktit të hapur që nga Lufta e Dytë Botërore, tha kryeministri Donald Tusk të mërkurën pasi shteti anëtar i NATO-s rrëzoi dronë rusë mbi territorin e saj.
Ai tha se Polonia i kishte kërkuar NATO-s të hapte konsultime sipas Nenit 4 të traktatit të saj, i cili thotë se anëtarët e aleancës ushtarake perëndimore do të konsultohen së bashku sa herë që, sipas mendimit të ndonjërit prej tyre, territori, pavarësia politike ose siguria e ndonjërit prej tyre kërcënohet.
Tusk i tha Parlamentit se kishte pasur 19 ndërhyrje në hapësirën ajrore polake gjatë natës.