SHBA forcon praninë ushtarake në Karaibe.
Shtetet e Bashkuara po rrisin ndjeshëm praninë e tyre ushtarake në Karaibe, në kuadër të Operacionit “Southern Spear”, duke shtuar spekulimet për përgatitje të mundshme goditjesh ndaj regjimit të Nicolas Maduro-s në Venezuelë.
Së fundmi, një avion i rrallë i Forcave Ajrore Amerikane, EC-130H Compass Call, ka mbërritur në aeroportin ndërkombëtar Luis Muñoz Marín në Porto Riko.
Ky avion është i specializuar në luftën elektronike, me aftësi për të ndërprerë sistemet e komandës, kontrollit dhe komunikimit të kundërshtarit, duke paralizuar koordinimin dhe efektivitetin operacional.
Prania e EC-130H konsiderohet veçanërisht e rëndësishme, pasi vetëm një numër shumë i kufizuar i këtyre avionëve mbetet ende operacional në inventarin e Forcave Ajrore Amerikane.
Në të njëjtën kohë, avionë luftarakë F-35A Joint Strike Fighter nga Garda Kombëtare Ajrore e Vermontit kanë mbërritur në ish-bazën detare Roosevelt Roads në Porto Riko.
Kjo shënon herën e parë që avionë taktikë të Forcave Ajrore të SHBA-ve operojnë në Karaibe në kuadër të këtij operacioni.
F-35A kanë aftësinë të godasin objektiva thellë brenda hapësirës ajrore të Venezuelës, duke transportuar bomba të drejtuara prej 2 mijë paundësh në hapësirat e brendshme, pa u zbuluar nga radarët.













