Shtetet e Bashkuara dhe Kina do t`i vazhdojnë negociatat tregtare. Palët janë pajtuar që ta shtyjnë afatin për zbatimin e tarifave të reja edhe për 90 ditë. Në vitin 2024, deficiti tregtar i SHBA-së me Kinën arriti në 300 miliardë dollarë.
Presidenti amerikan, vetëm disa orë para skadimit të armëpushimit tregtar mes SHBA-së dhe Kinës, ka urdhëruar shtyrjen e aplikimit të tarifave më të larta ndaj mallrave kineze. Në mëngjesin e së martës Shtëpia e Bardhë ka publikuar një deklaratë të përbashkët të negociatorëve për tregtinë, lidhur me marrëveshjen e fundit mes palëve për shtyrjen e afatit të aplikimit të tarifave.
SHBA-ja dhe Kina kanë tani një afat prej 90 ditësh për të arritur një marrëveshje tregtare, pra deri më 10 nëntor.
Me shtyrjen e aplikimit të tarifave të reja, SHBA-ja do të vazhdojë zbatimin e tarifës prej 30% për mallrat nga Kina, ndërsa Kina do të vazhdojë zbatimin e tarifës prej 10% për mallrat nga SHBA-ja.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar se shtyrja e afatit për aplikimin e tarifave u jep palëve më shumë kohë për negociata, me qëllim korrigjimin e çekuilibrit tregtar dhe të praktikave të padrejta tregtare.
Sipas saj, deficiti tregtar me Kinën, që në vitin 2024 ka arritur në pothuajse 300 miliardë dollarë, është më i madhi në krahasim me çdo partner tjetër tregtar të SHBA-së./rtk
The post SHBA shtyn afatin për tarifat ndaj Kinës appeared first on Kosovapost.net.