SHBA planifikon forcimin e infrastrukturës ushtarake në Shqipëri dhe Kosovë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vazhdojnë ta forcojnë praninë ushtarake në Evropën Juglindore, duke shpallur një kontratë pesëvjeçare që mbulon projekte ndërtimi dhe mirëmbajtjeje në Shqipëri, Kosovë dhe Bullgari.

Ky investim, i udhëhequr nga Korpusi i Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane, synon të sigurojë infrastrukturë të avancuar për trupat amerikane dhe në rajon, duke reflektuar angazhimin e vazhdueshëm në përballjen me sfidat gjeostrategjike dhe gjeopolitike.

Një tregues i qartë i angazhimit të vazhdueshëm të SHBA-së për të forcuar praninë e saj ushtarake dhe infrastrukturore në këtë pjesë të kontinentin është edhe shpallja e një kontrate të re të Korpusit të Inxhinierëve të Ushtrisë Amerikane për mbështetje në Evropën, që përfshinë Shqipërinë, Kosovën dhe Bullgarinë.

Sipas një njoftimi zyrtar planifikohet një marrëveshje pesëvjeçare, e cila përfshin projekte ndërtimi dhe mirëmbajtjeje në bazat ku operojnë trupat amerikane. Përmes kësaj po synohet, mbështetja e pranisë së forcave amerikane dhe aktiviteteve të tjera të agjencive të SHBA-ve në rajon, duke përfshirë edhe Republikën e Kosovës. Një vendim i tillë nga Ministria e Mbrojtjes shihet si kontribut për sigurinë në gjithë rajonin.

‘Mirëpresim çdo investim apo shtim të forcave amerikane në Kosovë, pasi siç e kemi cekur edhe më parë SHBA është partneri ynë strategjik, dhe madje jo vetëm investimi në infrastrukture ushtarake në Evropën Juglindore por dhe vendosja e një bazë të përhershme në Kosovë do të kontribuonte në sigurinë jo vetëm të Kosovës por dhe gjithë Ballkanit Perëndimor”, tha Liridona Gashi, Zëdhënëse në Ministrinë e Mbrojtjes.

Lidhur me këtë drejtori i Institutit “OCTOPUS”, Arben Fetoshi, thotë se ky është rikonfirmim i angazhimit të fortë ushtarak të SHBA-së në Kosovë dhe rajon.

“Ky është një lajm i jashtëzakonshëm në kontekstin e e atyre frikës dhe panikës të mëhershëm për tërheqjen eventuale të trupave amerikane dhe zhvendosjes së vëmendjes amerikane nga Kosova. SHBA edhe sot e rikonfirmojnë që përqendrimi i trupave amerikane është i madh për arsye gjeostrategjike dhe për arsye të vazhdueshme të kërcënimit që paraqet Rusia për këtë pjesë të Evropës”, tha Fetoshi.

 

The post SHBA planifikon forcimin e infrastrukturës ushtarake në Shqipëri dhe Kosovë appeared first on Kosovapost.net.