Pezullimi i Dialogut Strategjik nga ana e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës ka nxitur reagime të forta nga ish-zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët drejtpërdrejt përgjegjës për këtë vendim e bëjnë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Ish-diplomati amerikan, Jonathan Moore, ka komentuar zhvillimet e fundit në raportet ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, duke thënë se vendimi i Uashingtonit për të pezulluar Dialogun Strategjik lidhet me mungesën e progresit dhe me sjelljen e Qeverisë Kurti.
“Do të jem shumë direkt dhe sërish po flas vetëm në emrin tim, ky pezullim i dialogut strategjik lidhet me faktin se Albin Kurti si kryeministër në kapacitetin teknik ka punuar kundër interesave jo vetëm të Shteteve të Bashkuara dhe Bashkësisë Ndërkombëtare por edhe të vetvetes. Pra mund të thuhet se Albin Kurti ka punuar kundër interesave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe qeverisë së vet,” tha Moore në emisionin Rubikon në Klan Kosova.
Ai shtoi se gjatë muajve të fundit, duke përfshirë edhe periudhat e administratës Trump dhe Biden, është bërë punë për të afruar Kosovën me perëndimin, por nuk ka pasur progres.
“Ish ambasadori shumë i aftë këtu, Jeff Hovenier – shumë mik i mirë i imi, që doli në pension në janar – kishte punuar shumë për të sjellë ndryshim, për të sjellë progres, për të sjellë dialogun madje edhe me qeverinë e Kurtit, e të mos përmend edhe progresin e bërë në dialogun me Beogradin që është projekt tash e shumë vite me Bashkimin Evropian. Është po thuajse e pamundur të tregohen shenja progresi në Kosovë,” deklaroi Moore.
Në të njëjtën linjë kritike ka qenë edhe ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili po ashtu ka komentuar pezullimin e Dialogut Strategjik nga SHBA.
Sipas Hovenierit, vendimi është rezultat i një akumulimi frustrimesh nga Uashingtoni ndaj veprimeve të Qeverisë Kurti, me theks të veçantë ndaj deklaratave të kryeministrit kundër Gjykatës Kushtetuese të Kosovës.
Ai tha se sulmet verbale të Kurtit ndaj institucioneve të drejtësisë kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në këtë vendim të rëndë të Shteteve të Bashkuara.
Hovenier e cilësoi pezullimin si “humbje të madhe mundësie” për forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe paralajmëroi se ky vendim duhet marrë jashtëzakonisht seriozisht nga institucionet në Prishtinë.
Më 12 shtator, SHBA-ja pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e arsyetuar me veprimet e Qeverisë në detyrë dhe me rritjen e tensioneve e paqëndrueshmërisë në vend.