Washington-i ka informacione “të besueshme” që tregojnë për një shkelje të afërt të armëpushimit nga ana e Hamasi.
Shtetet e Bashkuara kanë paralajmëruar se Hamasi po planifikon të ndërmarrë një sulm ndaj civilëve palestinezë në Rripin e Gazës, duke rrezikuar shkeljen e armëpushimit aktual me Izraelin.
Paralajmërimi u bë përmes një deklarate nga Departamenti Amerikan i Shtetit, e cila u përcoll edhe tek vendet garantuese të marrëveshjes së paqes në Gaza – Egjipti, Katari dhe Turqia.
Sipas njoftimit, Washington-i ka informacione “të besueshme” që tregojnë për një shkelje të afërt të armëpushimit nga ana e Hamasit “përmes një sulmi të planifikuar kundër popullsisë civile palestineze në Gaza”.
Në deklaratë, Departamenti i Shtetit theksoi se “sulmi i planifikuar ndaj civilëve palestinezë do të përbënte një shkelje të drejtpërdrejtë dhe serioze të marrëveshjes së armëpushimit”, duke shtuar se një veprim i tillë “do të minonte përparimin e arritur përmes përpjekjeve ndërmjetësuese”.
Në reagimin e tij, Hamasi i hodhi poshtë me forcë pretendimet e diplomacisë amerikane, duke i cilësuar ato “të pavërteta” dhe “të motivuara politikisht”.
Në një deklaratë të publikuar të dielën në mëngjes, grupi militant tha se “faktet në terren tregojnë të kundërtën” dhe se “janë forcat e okupimit (izraelite) ato që kanë krijuar, armatosur dhe financuar banda kriminale që kanë kryer vrasje, rrëmbime dhe grabitje ndaj civilëve palestinezë”.
Sipas Hamasit, strukturat e sigurisë në Gaza po përpiqen të “ndjekin këto banda me mbështetjen e gjerë të popullsisë”, me qëllim “mbrojtjen e civilëve dhe të pronës publike e private”.