Rojet Bregdetare ndërhyjnë ndaj supertankerit të sanksionuar M Sophia.
Rojet Bregdetare të Shteteve të Bashkuara kanë ndaluar një tjetër tanker nafte të lidhur me Venezuelën në ujërat e Amerikës Latine, ndërsa Washingtoni vijon zbatimin e bllokadës ndaj anijeve të sanksionuara që transportojnë naftë venezuelase.
Sipas një zyrtari amerikan të cituar nga New York Times, anija e ndaluar është supertankeri M Sophia, i cili u kap në Karaibe. Zyrtari tha se mjeti lundrues po mbante një flamur të rremë kamerunas në momentin e ndërhyrjes.
Në raportime të veçanta, zyrtarë amerikanë i thanë Reuters se M Sophia është një tanker, i cili ishte larguar nga ujërat venezuelase në fillim të janarit si pjesë e një flote që transportonte naftë drejt Kinës.
Sipas të dhënave të lundrimit, anija po operonte në të ashtuquajturin “dark mode”, me transponderin e fikur, për të shmangur gjurmimin.










