SHBA kërkon qeverisje transparente në veri

Prattipati thekson pritjet e ShBA-ve për qeverisje transparente dhe efektive.

E ngarkuara me punë e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati, të martën është takuar me kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, si dhe me përfaqësues të shoqërisë civile të serbëve të Kosovës në veri të vendit.

Takimi është bërë i ditur nga ambasada e SHBA-së në Kosovë.

“Ajo ka theksuar pritjet e Shteteve të Bashkuara për qeverisje transparente dhe efektive, ofrim të barabartë të shërbimeve, si dhe rëndësinë e angazhimit me institucionet e sigurisë publike që janë të përkushtuara për t’u shërbyer të gjitha komuniteteve”, thuhet në komunikatën e ambasadës së ShBA-së.

Kryetarët shqiptarë në katër komunat veriore të banuara me shumicë serbe, të premten, e 5 dhjetorit kanë dorëzuar mandatet e tyre kryetarëve të rinj nga radhët e Listës Serbe.

Dragisha Miloviç është betuar si kryetar i ri i komunës së Zveçanit, pas dorëzimit zyrtar të detyrës nga Ilir Peci. Pas tij edhe Milosh Peroviç ka dhënë betimin si kryetar i ri i Komunës së Zubin Potokut.

Edhe Zoran Todiç, nga Lista Serbe, ka dhënë betimin si kryetar i ri i Komunës së Leposaviqit.

Kryetarët shqiptarë i morën detyrat në maj të vitit 2023 përmes zgjedhjeve, pas dorëheqjeve të kryetarëve serbë. Vendosja e tyre në komuna u bë me asistencë të Policisë, pas rezistencës së dhunshme të serbëve lokalë për të mos i lejuar t’i marrin mandatet.

Në zgjedhjet komunale të 12 tetorit 10 komunat të banuara me shumicë serbe u fituan nga kandidatët e Listës Serbe. Lista Serbe ka fituar bindshëm në të gjitha proceset zgjedhore ku ka marrë pjesë që nga themelimi i saj në vitin 2013.

Kështu ndodhi edhe në zgjedhjet e 12 tetorit, 2025, por në shumicën e komunave u shënua një rënie e mbështetjes për të, krahasuar me vitin 2021.