Rezoluta parashikon një rol drejtues amerikan dhe shtrirje të operacioneve deri në fund të vitit 2027.
Shtetet e Bashkuara u kanë dërguar një projekt-rezolutë disa anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku propozohet krijimi i një force ndërkombëtare sigurie në Rripin e Gazës për një periudhë fillestare prej dy vitesh, me mundësi zgjatjeje.
Drafti, të cilin e ka siguruar Axios, mban shënimin “Sensitive but Unclassified” (e ndjeshme por jo e klasifikuar).
Sipas dokumentit, forca – e quajtur International Security Force (ISF) – do të ketë mandat të gjerë për të siguruar dhe administruar Gazën deri në fund të vitit 2027, me mundësi zgjatjeje pas kësaj periudhe.
Një zyrtar amerikan tha për Axios se synimi është që rezoluta të votohet brenda javëve të ardhshme dhe trupat e para të dislokohen në terren deri në janar.
Zyrtari theksoi se ISF “do të jetë një forcë zbatimi, jo paqeruajtjeje”, e përbërë nga trupa të disa vendeve pjesëmarrëse dhe e krijuar në konsultim me një strukturë të re të quajtur Bordi i Paqes për Gazën, të cilin presidenti Donald Trump ka deklaruar se do ta kryesojë.
Drafti parashikon që ISF të ketë detyra si:
- sigurimi i kufijve të Gazës me Izraelin dhe Egjiptin,
 - mbrojtja e civilëve dhe korridoreve humanitare,
 - trajnimi i një force të re policore palestineze,
 - garantimi i procesit të çmilitarizimit të Gazës, përfshirë shkatërrimin e infrastrukturës ushtarake dhe çarmatosjen e grupeve jo-shtetërore – çka nënkupton edhe çarmatosjen e Hamasit nëse grupi nuk e bën këtë vullnetarisht.
 
Në dokument thuhet gjithashtu se ISF do të veprojë “nën një komandë të unifikuar, të pranueshme për Bordin e Paqes”, në bashkëpunim të ngushtë me Egjiptin dhe Izraelin, dhe me autorizimin “të përdorë të gjitha mjetet e nevojshme në përputhje me të drejtën ndërkombëtare”.
Forca synon të garantojë tranzicionin e sigurisë gjatë tërheqjes graduale të Izraelit nga Gaza dhe reformave të Autoritetit Palestinez, që pritet të marrë kontrollin afatgjatë të territorit.
Sipas raportimeve të mëparshme, vende si Indonezia, Azerbajxhani, Egjipti dhe Turqia kanë shprehur gatishmëri për të kontribuar me trupa.
Projekt-rezoluta parashikon gjithashtu që Bordi i Paqes të funksionojë si administratë e përkohshme qeverisëse, përgjegjëse për rindërtimin e Gazës dhe koordinimin e ndihmave, deri në momentin që Autoriteti Palestinez të ketë përfunduar reformat e kërkuara.
Ndihma humanitare do të shpërndahet nga organizata që bashkëpunojnë me Bordin e Paqes – përfshirë OKB-në, Kryqin e Kuq dhe Gjysmëhënën e Kuqe – ndërsa çdo ent që devijon ose abuzon me ndihmat do të përjashtohet nga programi.



															








