ShBA-ja sanksionon dy gjykatës të GjNP-së për shkak të shënjestrimit të Izraelit

Sekretari i Shtetit i ShBA-së, Marco Rubio, tha të enjten se vendi i tij do të sanksionojë dy gjykatës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP) për shkak se e kanë vënë në shënjestër Izraelin, duke e çuar në 11 numrin e zyrtarëve të lartë të kësaj gjykate që janë nën sanksione amerikane.

“Sot, unë do të caktoj dy gjykatës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GjNP), Gocha Lordkipanidze nga Gjeorgjia dhe Erdenebalsuren Damdin nga Mongolia, subjekt të Urdhrit Ekzekutiv 14203” – tha në një deklaratë kryediplomati amerikan, duke iu referuar një urdhri të presidentit Donald Trump, i nënshkruar në shkurt për ta sanksionuar GjNP-në, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.

“Këta individë janë përfshirë drejtpërdrejt në përpjekjet e GjNP-së për të hetuar, arrestuar, ndaluar ose ndjekur penalisht shtetas izraelitë, pa pëlqimin e Izraelit” – shtoi Rubio.

Në deklaratën e tij, zyrtari i lartë i administratës amerikane i referohet përfshirjes së dy gjykatësve në votimin për ta rrëzuar më herët këtë javë njërën nga disa prej ankesave ligjore të Izraelit kundër hetimit të GjNP-së rreth veprimeve të këtij shteti në luftën e Gazës.

Gjykatësit e lartpërmendur ishin pjesë e një paneli që refuzoi të rrëzonte një vendim të një gjykate më të ulët se hetimi i prokurorisë rreth krimeve të dyshimta nën juridiksionin e saj mund t’i përfshinin ngjarjet pas sulmit ndaj Izraelit nga Hamasi më 7 tetor 2023.

Gjykata shprehu keqardhje për valën e re të sanksioneve amerikane – e katërta e këtyra masave këtë vit.

“Këto sanksione janë sulm flagrant kundër pavarësisë së një institucioni të paanshëm gjyqësor” – tha GjNP-ja në një deklaratë, duke shtuar se masat amerikane e vënë në rrezik rendin ligjor ndërkombëtar.

Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nuk janë anëtare të GjNP-së, por Territoret Palestineze u pranuan si vend anëtar më 2015. Vitin e kaluar, kjo gjykatë lëshoi urdhërarreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ish-ministrin e tij të Mbrojtjes, Yoav Gallant, nën dyshimet për krime lufte dhe krime kundërnjerëzimit në Gaza, përfshirë përdorimin e urisë si armë lufte.