Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi të martën se ka ardhur momenti që Rusia dhe Ukraina të paraqesin propozime konkrete për përfundimin e luftës. Sipas zëdhënëses së Departamentit të Shtetit, Tammy Bruce, Rubio paralajmëroi se në mungesë të përparimit në negociata, Shtetet e Bashkuara do të tërhiqen nga roli i ndërmjetësuesit.
“Jemi në një pikë kritike ku të dyja palët duhet të propozojnë mënyra të qarta për t’i dhënë fund këtij konflikti,” citoi Bruce nga deklarata e Rubios. Ajo shtoi se “vazhdimi i përfshirjes amerikane si ndërmjetësuese varet nga vendimi i Presidentit, por nëse nuk ka përparim të dukshëm, ne do të largohemi nga procesi.”
Deklarata u bë në të njëjtën ditë që Kremlini hodhi poshtë propozimin e presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për një armëpushim 30-ditor. Rusia, në vend të kësaj, kishte propozuar një pauzë luftarake vetëm për tre ditët e festimeve të Ditës së Fitores, nga 8 deri më 10 maj, shkruan reuters.
Përpjekjet për një marrëveshje armëpushimi apo paqeje janë intensifikuar pas marrjes së detyrës nga presidenti amerikan Donald Trump në janar, i cili premtoi përfundimin e luftës brenda 24 orëve. Paraardhësi i tij, Joe Biden, kishte refuzuar bisedimet me Moskën për aq kohë sa pushtimi rus vazhdonte.
Ndërsa Trump ka nisur dialog të drejtpërdrejtë me Kremlinin, Rusia ka kërkuar që negociatat të shtrihen përtej luftës në Ukrainë dhe të përfshijnë marrëdhëniet më të gjera dypalëshe me SHBA-në.
Në mars, Rusia dhe Ukraina ranë dakord për një armëpushim të kufizuar, por luftime të përhapura kanë vazhduar. Në terren, forcat ruse kanë ruajtur përparësi si në personel, ashtu edhe në pajisje ushtarake, duke ushtruar presion të vazhdueshëm mbi trupat ukrainase.
Presidenti rus Vladimir Putin ka këmbëngulur që çdo marrëveshje armëpushimi duhet të përfshijë ndalimin e furnizimeve me armë nga Perëndimi për Ukrainën dhe ndalimin e çdo përpjekjeje të saj për t’u riorganizuar ushtarakisht gjatë pauzës. Nga ana e tij, nuk ka ofruar ndonjë kompromis.
Fundjavën e kaluar, gjatë funeralit të Papa Françeskut në Vatikan, Trump dhe Zelensky zhvilluan takimin e parë ballë për ballë që nga shkurti, pas një raundi të pasuksesshëm bisedimesh në Zyrën Ovale.
Trump e përshkroi takimin si pozitiv, por sugjeroi se Zelensky mund të jetë i gatshëm të heqë dorë nga Gadishulli i Krimesë si pjesë e një kompromisi – një ide që udhëheqësi ukrainas e ka refuzuar kategorikisht.
Më pas, Trump i bëri thirrje Putinit të ndalojë sulmet dhe të pranojë një marrëveshje paqeje.