SHBA insiston se ka hartuar vetë planin e paqes për Ukrainën pas pretendimeve për një “listë dëshirash ruse”

Deklaratat kontradiktore të zyrtarëve amerikanë ngrenë dyshime mbi origjinën dhe përmbajtjen e planit 28-pikësh, të cilësuar nga disa senatorë si pro-rus.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se plani prej 28 pikësh për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë – i kritikuar gjerësisht si i favorshëm për Rusinë – “është hartuar nga Shtetet e Bashkuara”.

Deklarata e tij erdhi pasi një grup senatorësh amerikanë thanë se Rubio u kishte bërë të ditur se drafti nuk pasqyronte qëndrimin zyrtar të Washingtonit.

Një prej senatorëve e përshkroi dokumentin madje si një “listë dëshirash ruse”.

Më pas, Rubio u distancua nga interpretimet e bëra publike dhe sqaroi se plani vjen nga SHBA-të dhe është “bazuar në kontribut” si nga Rusia, ashtu edhe nga Ukraina.

Rubio dha deklaratën teksa udhëtonte drejt Gjenevës për bisedime me zyrtarë ukrainas dhe përfaqësues të sigurisë evropiane mbi draftin, të cilin Presidenti Donald Trump ka kërkuar që Kievi ta pranojë sa më shpejt.

Aleatët evropianë të Ukrainës kanë kundërshtuar disa prej pikave kryesore të draftit, i cili nuk është bërë publik, por elementët e tij janë rrjedhur gjerësisht.

Plani thuhet se parashikon që Ukraina të tërheqë trupat nga zona të lindjes që Rusia nuk ka mundur t’i pushtojë me forcë dhe të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj.

Të shtunën, senatori republikan Mike Rounds tha se Rubio u kishte treguar ligjvënësve se drafti “nuk ishte politikë e SHBA-së”.

Duke folur në Forumin e Sigurisë në Halifax, Rounds deklaroi: “Ajo që [Rubio] na tha ishte se kjo nuk ishte propozimi amerikan”.

Ai tha gjithashtu se i ishte thënë që dokumenti i ishte paraqitur Steve Witkoff-it, i dërguar diplomatik i Trump për çështjet ndërkombëtare, nga “dikush që përfaqësonte Rusinë”.

“Nuk është rekomandimi ynë. Nuk është plani ynë i paqes,” shtoi ai.

Pak më vonë, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, e quajti deklarimin e Rounds “haptazi të pavërtetë”.

Në një postim në X, ai theksoi: “Ashtu si Sekretari Rubio dhe e gjithë administrata kanë sqaruar vazhdimisht, ky plan është hartuar nga Shtetet e Bashkuara, me kontribut si nga rusët, ashtu edhe nga ukrainasit.”

Edhe vetë Rubio reagoi në rrjetet sociale duke theksuar: “Propozimi për paqe u hartua nga SHBA-ja. Ai bazohet në input nga pala ruse. Por bazohet gjithashtu në input të mëparshëm dhe të vazhdueshëm nga Ukraina”.

Presidenti Trump, i cili e ka bërë prioritet përfundimin e konfliktit gjatë mandatit të tij të dytë, tha të shtunën se plani nuk përfaqëson një “ofertë përfundimtare”, ndonëse më herët kishte deklaruar se Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky “do të duhet ta miratojë atë”.

Ndërkohë, në një reagim në X, nënpresidenti JD Vance akuzoi kritikët e planit se “keqkuptojnë kuadrin ose shtrembërojnë realitetin në terren”.

Ai tha se është “fantazi të mendosh se më shumë para, më shumë armë apo më shumë sanksione” do të sillnin fitoren, duke shtuar se paqja nuk do të vijë nga “politikanët që jetojnë në një botë imagjinare”.