Në Gjykatën Speciale, në Hagë, të hënën e 15 statorit 2025 ka zbarkuar hiç më pak se ish-Nënsekretari amerikan i Shtetit, James Rubin, për të shpalosur të vërtetën e madhe historike për lirinë e Kosovës, në fund të viteve 90’ta të shekullit 20’të.
Dora e djathtë e Sekretares Amerikane të Shtetit, Madeleine Albright dhe njëherit përfaqësues i shtetit më të fuqishëm demokratik në botë, me qetësi të madhe, gjuhë të veçantë dhe të drejtpërdrejt, ka hedhur poshtë akuzat të cilat rëndojnë mbi ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, shkruan Demokracia.com.
Mes shumë përgjigjeve që Rubin ka dhënë gjatë dëshmisë së tij në Hagë, është edhe zbulimi i tij se SHBA-ja ka bërë përpjekje të mëdha dhe të thella për të vërtetuar akuzat anonime ndaj Thaçit dhe krerëve të tjerë të UÇK-së për krime.
Ai foli për nja artikull të një gazetari të New York Times, duke thënë se “ishte i keqinformuar nga burime serbe”, porse kjo kishte mjaftuar që SHBA të hetonte vërtetësinë e këtyre akuzave.
“Ne kemi konstatuar në mënyrë të përsëriste thashetheme pa prova, por pasi punonte për New York Times, ne duhej të bënim hetime të thella për to, pasi ajo ishte gazetë shumë e rëndësishme”.
Rubin tha se gazetari bënte pretendime që inteligjenca amerikane dhe ekspertët e jashtëm nuk mund t’i konfirmonin.
“Unë u kërkoja komunitetit, agjencive të inteligjencës, ekspertëve të jashtëm, zyrtarëve ushtarakë, të gjithë njerëzve pra që mund të më jepnin informacione lidhur me veprime kriminale apo gjëra të tilla, pyesja ekspertët për krime ndërkombëtare në mënyrë të përsëritur, dhe nuk kemi marrë asnjë konfirmim të këtyre komenteve shpifëse”, zbuloi Rubin.
Ai tha se në Departamentin amerikan të Shtetit “ka qenë një zyrë që merrej apostafat me krimet e luftës”.
Disa pretendime, Rubin tha se i hetoi edhe personalisht.
“Asnjë prej akuzave lidhur me rolin e tij dhe udhëheqësit e UÇK-së, apo akuza të tjera të marra, asgjë s’ishte e vërtetë”, tha ai.
Rubin tha se SHBA-ja kishte ndihmuar shqiptarët e Kosovës dhe ata dhe udhëheqësit e UÇK-së ishin “shumë mirënjohës”.
“Unë e di që ne kishim shumë influencë ndaj tyre”, tha ai.
Akuzat ndaj Thaçit dhe udhëheqësisë së UÇK-së, Rubin tha se ishin “të rreme, të fabrikuara” dhe se ato “synonin të ndikonin në mbështetjen tonë dhe ta cenonin marrëdhënien tonë”. / Demokracia.com /