Ambasada amerikane në Kosovë ka reaguar pas bllokadës së krijuar në Kuvendin e Kosovës, i cili tash e tetë herë nuk po konstituohet, për shkak të figurës së propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për kryeparlamentare, ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.
Në një përgjigje për Nacionalen, nga ambasada kanë thënë se i takon lidershipit politik që të formojë Kuvend e Qeveri stabile.
“I takon popullit të Kosovës që të vendos se kush duhet ta përfaqësojë. Kosova është një shtet sovran, demokratik dhe i pavarur. Është përgjegjësi e lidershipit politik që të formojë një Kuvend dhe Qeveri stabile, sipas Kushtetutës” – thuhet në përgjigje.
Theksojmë se seanca konstituive pritet të vazhdojë sërish nesër, më një maj.
Të martën ishte hera e gjashtë që Albulena Haxhu dështoi t’i marrë votat e nevojshme për kryeparlamentare. Para dy ditësh, ajo mori vetëm 54 vota.
Opozita ka bërë me dije se nuk do ta votojnë Albulena Haxhiun, duke kërkuar nga VV që ta propozojë një figurë më unifikuese.
Javën e kaluar, shumë prej partnerëve ndërkombëtarë reaguan në lidhje me këto zhvillime.
Në një shkrim në rrjetin social “Bluesky”, ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde ka thënë se Kuvendi i Kosovës po mbetet i bllokuar për shkak të taktikave penguese.
Ai ka bërë thirrje për bashkëpunim, në mënyrë që të sigurohet funksionimi i institucioneve.
“Mbi dy muaj pas zgjedhjeve, Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar për shkak të taktikave penguese. Qytetarët meritojnë politikanë që prioritet e kanë Kosovën, mbi politikat partiake. Prandaj, e përsëris: Duhet urgjentisht një bashkëpunim i mirëfilltë për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe formimin e shpejtë të një qeverie të qëndrueshme” – ka shkruar Rohde.
Në anën tjetër, ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves po ashtu ka theksuar se qytetarët presin nga liderët që të punojnë së bashku.
“Më shumë se dy muaj pasi qytetarët votuan në zgjedhje, Kosovës urgjentisht i duhet një Kuvend funksional dhe një qeveri. Qyetarët kanë të drejtë të presin nga liderët e tyre politikë që të punojnë së bashku në interesin kombëtar” – u shpreh ai në Facebook.
Ndërkaq, Bashkimi Evropian ka thënë për “REL” se është thelbësore për Kosovën ta formojë sa më shpejt Qeverinë e re, pasi vendi ka ngecur në përpjekje për formimin e institucioneve të reja më shumë se dy muaj pas zgjedhjeve parlamentare.
“Formimi i shpejtë i Qeverisë është thelbësor për Kosovën për t’i çuar përpara reformat e rëndësishme në të gjithë sektorët, të cilat do ta përmirësojnë cilësinë dhe kushtet e jetës për popullin e Kosovës” – u tha nga Zyra e BE-së.