Damon Wilson është ekspert i zhvillimeve ndërkombëtare dhe njëkohësisht zëvendës drejtor ekzekutiv i organizatës prestigjioze amerikane Atlantic Council me qendër në Washington DC. Wilson gjithashtu shërbeu si Drejtor i Lartë për Çështjet Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare gjatë mandatit të dytë të Presidentit George W. Bush. Ai zhvilloi këtë të martë një vizitë në Tiranë ku dha edhe një intervistë ekskluzive për televizionin News 24. Wilson u pyet për zgjedhjet në Shqipëri dhe ndër të tjera tha që zgjedhjet duhet të mbahen në kohën e caktuar pra më 30 qershor.
Zoti Wilson, si e shikoni situatën politike në Shqipëri? Ju jeni në dijeni se opozita shqiptare ka braktisur parlamentin duke dorëzuar mandatet dhe duke kërkuar zgjedhje të parakohshme parlamentare pa kryeministrin aktual. Si e shikoni këtë?
Kam pasur mundësinë gjatë vizitës time në Tiranë, për të takuar Presidentin e Republikës, kryeministrin e vendit dhe anëtarë të parlamentit dhe ata në opozitë. Unë jam një mbështetës i fortë i aleancës Amerikane me Shqipërinë dhe mbështes fort evolucionin e saj demokratik. Kemi parë qeveri të ndryshme, tranzicion dhe pushtet dhe këto janë pjesë e demokracisë.
Unë jam pak i shqetësuar në këto momente sepse mendoj se është me rëndësi që institucionet demokratike që shqiptarët kanë ndërtuar t’i përdorin ato, që të mund të funksionojnë. Që njerëzit të kenë mundësinë për të protestuar dhe për të shprehur pakënaqësinë përmes kutisë së votimit, për t’i bërë të qarta qëllimet e tyre përmes demonstratave paqësore dhe për të marrë rolin e tyre në parlament për të shprehur kundërshtimet e tyre dhe shqetësimi im tani është se ne po shohim pak përpjekje që po shtyjnë në thelbin kushtetues të demokracisë këtu dhe unë besoj fort në atë që partitë politike t’i pranojnë përgjegjësitë e tyre, duke pranuar mandatet e tyre duke përfaqësuar idetë e tyre përmes mjeteve kushtetuese dhe mendoj se është shumë e rëndësishme sepse Shqipëria përfaqëson fytyrën e saj në botë duke e bërë të qartë se Shqipëria jo vetëm që është gati për Bashkimin Europian, por se Shqipëria është një vend i mirë për investime të huaja dhe për këtë njerëzit duan të shohin një nivel të caktuar stabiliteti politik, institucione demokratike që funksionojnë dhe një sistem drejtësie që përgjigjet ndaj këtyre detyrave dhe kërkesave.
Prandaj mendoj se tani është një sfidë fatkeqe ku kemi disa parti që janë larguar nga mandatet e tyre në parlament, që herë pas here janë përfshirë në akte dhune në proteste dhe mendoj se në një Shqipëri moderne që është në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe aleatë e Nato-s, do të shpresoja që këto praktika të jene pjesë e të shkuarës dhe të shikojmë ushtrimin e demokracisë në këtë vend. Ne duhet ta institucionalizojmë mënyrën sesi nuk biem dakord me njeri tjetrin. Nuk mundet të ndodhë që fituesi i merr të gjitha dhe duhet që zgjedhjet të ndodhin sipas planifikimit.
Mendoj se po. Ekziston një proces kushtetues. Në SHBA kemi një mandat katër vjeçar presidencial, dy vite për dhomën e përfaqësuesve, gjashtë vjet për senatin, dhe ndonjëherë kjo kohë shërben mirë për një parti dhe ndonjëherë është koha më e keqe për një parti për të shkuar në zgjedhje. Këtu në Shqipëri keni rregullat tuaja dhe proceset kushtetuese dhe kodin zgjedhor dhe mendoj se është me rëndësi që të ndiqet ai kod. Keni zgjedhje lokale që mbahen në fund të qershorit që duhet të mbahen sipas planifikimit, keni zgjedhjet parlamentare që mbahen pas disa vitesh dhe duhet t’i përmbaheni. Mendoj se është një ushtrim për muskujt e demokracisë për të treguar se strukturat, institucionet dhe sistemi që keni ndërtuar po i shërben popullit.
Ekziston shqetësimi se situata politike në Shqipëri mund të vonojë procesin integrues të Shqipërisë. Cili është opinioni juaj për këtë?
Unë e ndaj këtë shqetësim. Në pikëpamjen time, Shqipëria është gati dhe jam shumë krenar që mirëpritëm Shqipërinë në Nato dhjete vite më parë. Ishte vendimi i duhur, por mendoj se ka ardhur koha që Bashkimi Europian t’i nisë negociatat e anëtarësimit. Nuk po flasim për anëtarësim, por po flasim për procesin e hapjes së negociatave që do të kërkojë kohë. Mendoj se Shqipëria e ka merituar këtë përmes disa reformave të dukshme. Shikoni reformën në gjyqësor që ky vend ka realizuar. Eshtë e jashtëzakonshme. Mendoj se Shqipëria e ka merituar një vend në negociata për të qenë pjesë e Bashkimit Europian. Une jam Amerikan dhe është e lehtë për mua që ta them këtë, por e di se shumë prej miqve të mi në Bashkimin Europian e njohin këtë progres të Shqipërisë. Ekziston ndonjë hezitim politik në disa kryeqytete kryesore europiane, por do të uroja që ata të vijnë këtu në Tiranë për të parë sesi po shkojnë gjërat sepse unë mendoj se ky vend është gati për këtë proces.