SHBA e përkushtuar ndaj partneritetit me Shqipërinë

“Mbetemi të përkushtuar ndaj partneritetit tonë me Shqipërinë, aleaten tonë në NATO”, deklaroi sot e ngarkuara me punë e Ambasadës së SHBA në Tiranë Leyla Moses-Ones.

Ambasadorja u shpreh se ambasada e SHBA në Tiranë ka mbështetur shkollat në projektin për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm.

“Gjatë programit pilot në shkolla, është rritur ndërgjegjësimi për të shmangur ekstremizmin e dhunshëm. Projekti i parë kundër ekstremizmit u mbajt në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2015, ndërsa më vonë një samit për këtë temë u mbajt në Tiranë. Liderët politikë shqiptarë dhe në Ballkan vunë në dukje se ekstremizmi dhe terrorizmi duhet luftuar”, – tha ajo.

“Shkolla si një qendër komunitare ka shërbyer për të promovuar paqen dhe jo dhunën. Strategjia ka bërë që edhe aktorët vendas të ndërgjegjësohen për të trajtuar këtë fenomen. Të gjithë aktorët e kuptojnë se parandalimi i ekstremizmit ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Në këtë projekt kanë marrë pjesë qytetarë, por edhe organizata fetare. Këto projekte ndihmojnë qytetarët që të mos priren nga dhuna”, – deklaroi Leyla Moses-One

“Komunitetet që morën pjesë në këtë projekt dolën edhe më të forta. Veçanërisht të rinjtë tani e kuptojnë se mund të kenë një ndikim të drejtpërdrejtë në komunitetin e tyre. Ata  mund të sjellin ndryshimin. Ata janë të fuqizuar. Këto janë rezultate të vërteta dhe ne e kemi mbështetur këtë projekt me shumë kënaqësi”, – tha Moses-Ones.

Ne, u shpreh ajo, “do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet kundrejt zhvillimit të brendshëm në mbarë Shqipërinë. Qeveria e SHBA mbështet më shumë se 5 milionë dollarë programe të financuara kundër ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri”.

Moses-Ones u shpreh se SHBA gjithashtu mbështet jo vetëm aftësitë ripërtëritëse të komuniteteve, por edhe fuqizimin e grave dhe të rinjve. Gjithashtu forcimin e qeverisjes vendore dhe zërat e matur brenda bashkësive fetare.

“Mbetemi të përkushtuar ndaj partneritetit tonë në Shqipëri, aleaten tonë në NATO dhe do të vazhdojmë të mbështesim përpjekjet që ndikojnë komunitetet, që ofrojnë mundësi për angazhimin e rinisë dhe largimin nga dhuna si dhe ndihmojnë qytetarët të kontribuojnë për të mirën e përbashkët”, – tha Moses-Ones./atsh