SHBA e hapur për të njohur Krimenë si pjesë të Rusisë

SHBA është e gatshme të njohë kontrollin rus mbi rajonin ukrainas të Krimesë, raporton Bloomberg.

Burime i kanë thënë këtij mediumi amerikan se Uashingtoni është i hapur ndaj një lëvizjeje të tillë si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje mes Moskës dhe Kievit.

Sipas këtyre burimeve, ende nuk është marrë një vendim përfundimtar mbi këtë çështje

Dikur xhevahiri i Perandorisë Ruse, territori me rëndësi strategjike në Detin e Zi ka një histori të gjatë, përfshirë qëndresën ndaj nazistëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe më së fundmi aneksimin nga Vladimir Putini në vitin 2014.

Kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, presidenti Volodymyr Zelensky fillimisht u tregua i kujdesshëm në mënyrën se si i shprehte publikisht ambiciet për këtë territor bregdetar.

Por me kalimin e kohës dhe me fitoret gjithnjë e më të mëdha të trupave ukrainase në fushëbetejë, qëndrimi i tij u bë më i qartë: Krimea është Ukrainë dhe forcat e armatosura do ta rimarrin atë.

Ndryshe, Rusia ka nisur pushtimin e shtetit ukrainas më 24 shkurt të vitit 2022 duke shkaktuar mijëra viktima dhe dëme të shumta materiale.