The War Zone: Pamjet nga terreni dhe zhurma karakteristike sugjerojnë përdorimin e municioneve vetëvrasëse.
Shtetet e Bashkuara dyshohet se kanë përdorur dronë “kamikazë” gjatë operacionit ushtarak në Venezuelë, i njohur zyrtarisht si Operation Absolute Resolve, raportoi The War Zone, duke iu referuar pamjeve të shumta të filmuara nga qytetarë në terren.
Sipas raportimit, në disa video të publikuara në rrjete sociale dëgjohet një zhurmë e fortë, e mprehtë dhe karakteristike – e përshkruar si një “ulërimë” me frekuencë të lartë – e cila pasohet menjëherë nga shpërthime.
Ky profil akustik përputhet me përdorimin e dronëve vetëvrasës (one-way attack drones), të njohur edhe si municione endacake.
The War Zone thekson se zhurma e dallueshme e regjistruar në Venezuelë është e njëjtë me atë që është dokumentuar gjerësisht në zona të tjera konflikti vitet e fundit, ku dronë kamikazë me motorë të vegjël me piston dhe helikë shtytëse janë përdorur për goditje precize.
Një akustikë e tillë është bërë aq e njohur sa forcat ukrainase kanë ngritur rrjete sensorësh për të zbuluar dronët rusë pikërisht përmes këtij sinjali zanor.
Raporti sugjeron se ky operacion mund të përfaqësojë përdorimin e parë real në terren të një brezi të ri dronësh amerikanë me rreze të gjatë veprimi, të dizajnuar për sulme njëkahëshe.
Sipas The War Zone, kjo shënon një kthesë të rëndësishme për ushtrinë amerikane, e cila prej vitesh ka qenë prapa aktorëve të tjerë në zhvillimin dhe përdorimin e teknologjive të tilla me kosto të ulët.
Operacioni Absolute Resolve, që synonte kapjen e liderit venezuelian Nicolas Maduro, duket se ka shërbyer edhe si një test operacional për kapacitetet e reja të forcave amerikane, veçanërisht në kuadër të njësive të operacioneve speciale, ku po shtohet presioni për integrimin e dronëve sulmues pa pilot në nivele të ndryshme taktike.










