Washington-i vendos dronë sulmues të lirë të kopjuar nga teknologjia iraniane.
Pentagoni ka publikuar detaje të reja mbi dërgimin në Lindjen e Mesme të dronëve kamikazë amerikanë të ngjashëm me Shahed-136, pjesë e programit Low-Cost Uncrewed Combat Attack System (LUCAS) që do të përdoret nga grupi ushtarak Task Force Scorpion Strike.
Sipas Pentagon-it, këto platforma të reja synojnë të “ndryshojnë lojën” ndaj Iranit, duke ofruar një kombinim të kostos së ulët me aftësi të avancuara të komandimit dhe objektivizimit.

Fotot e publikuara nga autoritetet amerikane tregojnë dy variante të LUCAS. Varianti i parë është i thjeshtë dhe i destinuar për goditje të objektivave statikë, si shumë dronë kamikazë të këtij tipi.
Por varianti i dytë paraqet zhvillime të rëndësishme: një kamerë të stabilizuar të montuar në krye dhe, mbi të gjitha, një datalink satelitor “përtej vijës së shikimit” të vendosur mbi trup.

Kjo pajisje satelitore i mundëson dronit të komandohet në distanca shumë të mëdha dhe të godasë objektiva lëvizës apo objektiva spontane – një përmirësim i madh krahasuar me dronët tradicionalë njëpërdorimësh.
Një tjetër element kyç është aftësia për taktika ‘swarm’, ku disa dronë veprojnë në mënyrë të koordinuar.
Droni i pajisur me terminal satelitor shërben si një “nyje” komanduese, ndërsa dronët e tjerë, më të thjeshtë dhe me lidhje vetëm ”përtej vijës së shikimit”, ndjekin sinjalet dhe ndryshimet taktike në kohë reale.
Kjo qasje ul koston totale, pasi vetëm një pjesë e vogël e dronëve kërkon pajisje më të avancuara, ndërsa pjesa tjetër mbart thjesht ngarkesën shpërthyese.











