Shasha: Nga 1 prilli i vitit 2016 Kosova s’ka bërë asnjë hap drejt BE-së

Demush Shasha, drejtor ekzekutiv i Institutit EPIK, ka theksuar se që nga viti 2016 Kosova nuk ka bërë asnjë hap drejt anëtarësimit në BE.

Shasha ka thënë se Bashkimi Evropian e mban një pjesë të përgjegjësisë pasi, sipas tij, ajo nuk ka gjetur konsensusin që të avancojë rrugën integruese të Kosovës. E pjesën tjetër të përgjegjësisë, ka shtuar ai, e mbajnë institucionet shtetërore.

“Ka kohë që Kosova nuk ka bërë progres në rrugën e saj integruese, madje as nuk po flitet. Për të qenë më i saktë, që nga viti 2016 nga 1 prilli Kosova nuk ka bërë më asnjë hap drejt anëtarësimit në BE. Bosnja ka bë, Shqipëria ka bë, Maqedonia e Veriut ka bë, Mali i Zi ka bë, madje edhe Serbia ka bë. I vetmi vend që pothuaj 10 vjet nuk ka bë asnjë hap është Kosova. Jemi në të njëjtën pozitë ku kemi qenë më 2016”, është shprehur ai në “Konfront”.

Shasha ka shtuar tutje se Bashkimi Evropian nuk ka arritur që të gjejë një shteg që do avanconte rrugën integruese të Kosovës në të njëjtën dinamikë siç avancoi rruga integruese të vendeve të rajonit.

Ai ka thënë se BE-ja i ndihmoi shtetet e tjera të rajonit në rrugën integruese.

“Kosova ka treguar performancë më të mirë se vende e rajonit në zbatimin e reformave evropiane, por Kosova nuk është shpërblyer me avancim të rrugës integruese nga ana e BE-së”.