Ferat Shala i PDK-së ka thënë se kërkesa për rritje të çmimit të energjisë elektrike ka ardhur si pasojë e një planifikimi jo të duhur ndaj kostove reale të operimit.
Përmes një postimi në Facebook, Shala deklaroi se nënvlerësimi i kostove vitin e kaluar dhe shtyrja e trajtimit të tyre ka krijuar barrë financiare, që tash duhet paguar nga konsumatorët.
“Kjo praktikë nuk është e drejtë dhe tregon për një menaxhim të dobët dhe të ndikuar, ku vendimet merren më shumë për arsye politike sesa në interes të konsumatorëve”, u shpreh Shala.
Tutje, ai deklaroi se ZRRE-ja duhet të jetë e kujdesshme, duke treguar transparencë dhe profesionalizëm në vlerësimin e aplikimeve tarifore nga operatorët.
Shala thotë se zgjidhje e gjithë kësaj është rritja e kapaciteteve të brendshme të prodhimit të energjisë, siç është era dhe dielli.
“Në këto rrethana, Qeveria duhet të ndërhyjë për të shmangur një barrë të menjëhershme mbi qytetarët. Ndikimet politike nga vitet e kaluara kanë sjellë sektorin energjetik në një situatë të vështirë, prandaj, kërkohet një qasje shtetërore më strategjike për të siguruar një sistem energjetik që është i qëndrueshëm dhe i përballueshëm për konsumatorët.”