Shala: Rasti i Albin Kurtit në Kosovë është një shembull i qartë i vdek’jes së etikës politike

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala, ka reaguar pas deklaratave të fundit të Kryeministrit Albin Kurti për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po përballen me drejtësinë në Hagë.

Në një postim në Facebook, Shala e cilëson Kurtin si shembullin më të qartë të “vdekjes së etikës politike” në Kosovë. Sipas tij, sjelljet dhe deklaratat e Kurtit manifestojnë një fenomen sociopolitik , që manifestohet përmes: “rrënimin e humanizmit, autoritarizmin e brendshëm, narcizmin politik, ekstremizmin ideologjik” dhe në fund, sipas Shalës, “përfundon në një ego të përbindshme”.

Postimi i plotë i tij:

Kur vdes etika politike – rasti Kurti

Personalitetet politike që për një apo më shumë arsye, synojnë të qëndrojnë në pushtet, qoftë edhe për të mbrojtur veten nga ndëshkimi për gabimet e veta, historia i njeh si figura pa etikë politike.

Rasti i Albin Kurtit në Kosovë është një shembull i qartë i vdekjes së etikës politike. Ky fenomen sociopolitik manifestohet përmes dukurive si:

•Rrënimi i humanizmit,

•Autoritarizmi i brendshëm,

•Narcizmi politik,

•Ekstremizmi ideologjik, dhe

•Përfundon në një ego të përbindshme.

Përndryshe, nuk mund të kuptohet dhe as të justifikohet deklarata e tij lidhur me liderët tanë në Hagë: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe tërë UÇK-në.