Shala haptazi: Amerikanët mendojnë se duhet me ia dhanë veriun Serbisë

Krenar Shala, analist i përafërt në qëndrime me Vetëvendosjen dhe Albin Kurtin, si dhe i zjarrtë në kundërshtimin e tij ndaj SHBA-së në çfarëdo konteksti, as sonte nuk arriti të përmbahet dhe rrëshqiti si zakonisht në anti-amerikanizëm.

Shala në Adresa të Kanal 10 foli gjerë e gjatë se si Kurti ka të drejtë në të gjitha qëndrimet e tij dhe se si marrëdhëniet me SHBA-në nuk janë fare të këqija, ndonëse nga bindjet e shfaqura nga analisti nuk krijohet përshtypja se ky mërzitet fort për raportet me Amerikën.

Por, në një moment shpërthimi, Shala s’arriti të frenojë dhe nga goja i rrëshqiti ajo që ndoshta e mendojnë shumë eksponentë të VV-së, e nganjëherë edhe e thonë papritmas.

”Ne e kemi një test shumë të madh veriun. Ata (amerikanët) po menojnë se duhet me ia dhanë veriun Serbisë se qashtu Serbia largohet. Nuk largohet qashtu Serbia prej Rusisë”, tha Shala me një ton të lartë.

Analisti Halil Matoshi mbeti i shtangur nga kjo që e nxori prej goje Shala, por ky i fundit madje tha se edhe mund ta përsërisë këtë pohim, meqë kështu qëndron e vërteta. Pra, SHBA-ja, aleati më i madh i Kosovës që garanton pavarësinë dhe shtetin, është për copëtimin e territorit të Kosovës./gazetametro.net