Stefan Zweig (Cvajg)
Gjithë jetën time më kanë ngjallur interes monomanët, të cilët i sundon ideja e një pasioni të vetëm, sepse sa më të kufizuar të jenë njerëzit, aq më tepër i afrohen infinitit.
Shahu është një lojë strategjike që luhet nga dy lojtarë në një fushë shahu. Kjo e fundit përbëhet nga tetë rreshta dhe tetë kolona, gjithsej janë 64 katrorë të zinj dhe të bardhë. Është një nga lojërat më të njohura në botë, e luajtur nga miliona njerëz në shtëpi, klube, në internet, në korrespondencë dhe në turne të shumtë. Çdo lojtar ka nga 16 gurë: një mbret, një mbretëreshë, dy torra, dy oficerë, dy kuaj dhe tetë ushtarë. Secili gur lëviz në drejtime të ndryshme. Gurët përdoren për të sulmuar dhe për të kapur gurët e tjerë të kundërshtarit. Objektivi i lojës është “shah mat”, kur mbreti i lojtarit tjetër është nën kërcënimin e pashmangshëm të kapjes. Loja mund të fitohet edhe nga dorëzimi i vullnetshëm i njërit prej lojtarëve, gjë që ndodh zakonisht kur shumë gurë janë humbur, ose kur shah mati është bërë i pashmangshëm. Një rezultat tjetër i pranueshëm i lojës është dhe barazimi, në të cilin asnjë prej lojtarëve nuk fiton. Kursi i lojës është i ndarë në tri faza: hapja, zhvillimi dhe mbyllja e lojës. Vilhem Steinitz është i pari kampion i shahut, i nderuar në vitin 1886. Kampioni aktual është indiani Visëanathan Anand. Ekzistojnë shumë kampionate botërore shahu, si për shembull ai femëror, për të rinj, i zotërinjve (ku marrin pjesë persona mbi 60 vjeç) në korrespondencë, në internet dhe kampionati i shahut të shpejtë. Ka shumë variante të shahut me rregulla, figura dhe me tabela të ndryshme. Loja e shahut është programuar për t’u luajtur në kompjuter që prej gjysmës së dytë të shekullit të 20. Kompjuteri “Deep Blue” është i pari që mundi kampionin botëror të shahut Geri Kasparov në vitin 1997. Rregullat zyrtare të shahut vendosen nga Federata Botërore e Shahut dhe gjenden të publikuara në libra apo rregullore të nxjerra prej saj. Në rreshtin e parë të tabelës nga të dyja anët vendosen torrat, kuajt, oficerët, mbreti dhe mbretëresha, ndërsa në rreshtin e dytë të gjithë ushtarët. Lojtari i parë që lëviz është ai që ka zgjedhur fushën e bardhë, pas lëvizjes fillestare çdo lojtar lëviz nga një herë.
Gurët lëvizen pavarësisht nëse katrori është i zënë apo jo, kur ky është i zënë atëherë guri i kundërshtarit kapet dhe del nga loja. Lojtarët lëvizin nëpër fushë duke “ngrënë” figurat e njëri-tjetrit. Asnjëri prej tyre nuk është i detyruar të bëjë lëvizje që ta vënë mbretin në rrezik. Nëse njëri prej lojtarëve nuk ka më lëvizje të mundshme, atëherë loja mbaron. Secili gur shahu ka lëvizjen e tij të veçantë. Loja e shahut mund të luhet edhe nën kontrollin e kohës, këtë e përdorin zakonisht klubet ose profesionistët e shahut. Nëse njërit prej lojtarëve i mbaron koha përpara se loja të përfundojë, ai humbet. Gjatësia e lojës varion nga shtatë orë për lojërat e rëndësishme, deri në tridhjetë minuta ose një orë për lojërat normale. Akoma më i shkurtër është “shahu i shpejtë”, me një mundësi kohore nga 3-15 minuta për lojtar. Në turnetë e shahut, përdoren orët që janë të ndara në dy pjesë, duke treguar sesa kohë i ka mbetur secilit lojtar. Qëllimi i lojës së shahut është marrja e figurës së mbretit të kundërshtarit. Taktikat e shahut janë lëvizje në kohë të shkurtër, por që llogarisin veprimet në të ardhmen e afërt të kundërshtarit. Aftësia për të formuluar taktika të suksesshme varet nga inteligjenca dhe përqendrimi i lojtarit. Gjatë hartimit të strategjisë, lojtari duhet të marrë në konsideratë jo vetëm veprimet e mundshme të kundërshtarit, por edhe vlerën e gurëve në lojë, kontrollin e qendrës dhe gurëve kyç për fitoren, sigurinë e mbretit, dhe strukturën e ushtarëve. Vlera e gurëve ndryshon në varësi të titullit që mban secili prej tyre, për shembull ushtarët vlejnë një pikë, oficerët dhe kuajt tri pikë, torrat pesë pikë dhe mbretëresha nëntë pikë. Mbreti ka vlerën më të madhe nga të gjithë, nëse ai kapet, atëherë loja mbaron. Një tjetër fakt me rëndësi në lojën e shahut është edhe struktura e ushtarëve në tabelë. Kjo strukturë formëson strategjinë e lojtarëve dhe mundësinë e tyre për të fituar.
Historia e shahut
Mendohet ta këtë origjinën nga India Veriperëndimore gjatë Perandorisë Gupta, e cila në shekullin e gjashtë njihej si Chaturanga. Ajo përbëhej nga katër divizione ushtarake: këmbësoria, kalorësia, elefantët dhe chariotry (lloj transporti me kafshë), të cilat respektivisht i përkasin ushtarëve, kuajve, oficerëve dhe torrave. Sipas historianëve, fillesat e shahut gjenden në Perandorinë Kushan në Afganistanin e lashtë, ku fjala shah ka kuptimin e një fosili të gjallë. Prova më e hershme e shahut gjendet në Persi rreth vitit 600, ku loja quhej “chatrang”. Chatrang u huazua nga myslimanët pas pushtimit të Persisë prej tyre në vitet 633-644, nga ku u quajt “shatranj”, por emrat e gurëve nuk u ndryshuan dhe shumica mbetën me origjinë persiane. Secili nga shtetet që e adoptoi këtë lojë i dha asaj një emër të përshtatshëm për vendin ku luhej, në Europë mbizotëroi zëvendësimi nga fjala persiane “shah” që do të thotë mbret, në “chess”. Tregtarët e Lindjes mbërritën në portet europiane me gurët orientalë të mbretit të shahut, përpara se ata të sillnin lojën e plotë. Loja u përhap në Europën Perëndimore dhe Rusi në fillim të shekullit të nëntë. Në vitin 1000, loja e shahut ishte shpërndarë në të gjithë Europën. Rregullat e lojës filluan të ndryshojnë në vitin 1200 nga Europa Jugore, duke marrë ngadalë formën që kanë sot. Ato u formuan plotësisht në shekullin 19, në mënyrën sesi shahu luhet sot në mbarë botën. Nga shekulli 10 deri në shekullin 15, mbretëresha u bë guri më i rëndësishëm i lojës, duke zëvendësuar kështu figurën e vezirit. Për këtë arsye e gjejmë shpesh të quajtur shahun modern si “Shahu i mbretëreshës”.
Librat për teorinë e shahut filluan të shkruhen në shekullin e 15. Autorë të shumtë nga Spanja, Italia, Greqia dhe vende të tjera, kanë shkruar analiza dhe teori të shumta për mënyrën sesi shahu duhet të luhet apo fitohet. Turneu i parë i shahut u mbajt në Londër në vitin 1851 dhe u organizua nga kryetari për shahun në Angli. Ky turne u fitua nga gjermani Adolf Andersen, i cili shquhej për mjeshtërinë në shah, për mendjen brilante dhe për energjinë e sulmit, e cila më pas u njoh si strategji. Pol Mërfi ishte një lojtar i ri shahu, i cili fitoi ndaj të gjithë kundërshtarëve të tij profesionistë. Karriera e Mërfit shquhej për kombinimin brilant të sulmit dhe mbrojtjes, për aftësinë e tij të jashtëzakonshme në përgatitjen e sulmeve të befasishme. Vilhem Steinitz e revolucionarizoi lojën duke shpjeguar sesi të shmanget dobësia e pozicioneve të ndryshme dhe si të vërehet kjo dobësi në pozicionet e kundërshtarit. Ndërmjet luftërave botërore, strategjitë e shahut u zhvilluan edhe më shumë nga “hipermodernistët”. Këta filluan ta kontrollonin qendrën e fushës së shahut jo më me ushtarë të thjeshtë, duke e sulmuar kundërshtarin në pikën e tij të dobët.
Titujt në shah janë të ndryshëm dhe të shumtë, në varësi edhe të kategorive për të cilat bëhet fjalë. “Mjeshtër i madh” është titulli më i lartë që një lojtar shahu mund të mbajë. Përpara se Federata Botërore e Shahut të mund t’i japë një lojtari këtë titull ai duhet të jetë klasifikuar në sistemin ELO të numërimit të pikëve të një shahisti. “Mjeshtër ndërkombëtar”, për t’u kualifikuar për këtë titull duhet që lojtari të këtë të paktën 2400 pikë në sistemin ELO të pikëve. “Mjeshtër i federatës”, për këtë titull lojtari duhet të këtë mbledhur 2300 pikë për arritjet e tij në federatë. “Mjeshtër kandidat”, është titull i përafërt me “Mjeshtrin e federatës”, por hierarki më poshtë këtij, për të marrë këtë titull duhen të paktën 2200 pikë. Titujt janë të hapur për meshkujt dhe femrat. Titujt si “Mjeshtër i madh” merren edhe nga femrat që prej vitit 1978. Në vitin 2011 numërohen rreth 1363 “Mjeshtër të mëdhenj” dhe 3153 “Mjeshtër ndërkombëtarë”. Tre vendet me numrin më të madh të “Mjeshtërve të mëdhenj” janë 208 Rusia, 78 Ukraina dhe 76 Gjermania.
Psikologjia e shahut
Në tezat e tij, Ardian de Groot tregon se mjeshtërit e shahut mund të perceptojnë shumë shpejt tiparet kryesore të një pozicioni. Sipas studiuesit, kjo aftësi e shpejtë perceptimi arrihet si pasojë e viteve të tëra praktikë e studim. De Groot ka provuar se mjeshtërit në shah mund të memorizojnë pozicionet e gurëve të treguar vetëm për pak sekonda. Kjo aftësi për të mbajtur mend nuk është thjeshtë e lidhur me aftësitë në shah, por edhe për shkak se kur mjeshtërit e shahut përballen me një rregullim të çfarëdoshëm të një fushe shahu, ata e lidhin atë pamje me qindra e mijëra kujtime ekuivalente të mëparshme. Kur pozicionet e lojës janë kopjuar nga një lojë e caktuar, të cilën mjeshtërit e njohin, atëherë pozicionet e gurëve regjistrohen në tru automatikisht. Të tjera kërkime shkencore i referohen shahut si stërvitje e mendjes dhe si zhvillim i diturisë. Talenti dhe praktika ecin së bashku kur bie fjala për shahun. Shkencëtarët diskutojnë ndërmjet tyre faktin se a është e mjaftueshme një praktikë e madhe për të arritur nivele të larta në shah, apo gjenitë e deritanishëm të shahut e kanë pasur aftësi të lindur mënyrën sesi ata arrinin të fitonin.
Shahu dhe inteligjenca
Pavarësisht supozimit të lidhjes mes performancës në shah dhe inteligjencës së përgjithshme, kërkuesit deri më tani kanë dështuar në konfirmimin e kësaj hipoteze. Një studim i vitit 2006 zbuloi se nuk kishte ndonjë dallim të madh mes inteligjencës së personave që luanin shumë mirë shah dhe njerëzve normalë. Për këto dhe shumë arsye deri më tani, performanca në shah është e lidhur më tepër me eksperiencën sesa me ndonjë inteligjencë gjeniale të fshehur. Shahistët profesionistë është vlerësuar se kanë të regjistruar në kujtesën e tyre 10,000-300,000 modele pozicionesh shahu. Një studim i vitit 2007, i cili studionte lojtarët e rinj të shahut në Britani zbuloi se fëmijët më të zgjuar prireshin të kishin nivel më të ulët të aftësive në shah. Rezultatet shpjegoheshin prej faktit se kishte një lidhje të zhdrejtë mes inteligjencës dhe praktikës. Studimi këshillonte se praktika është ajo që ngjall më shumë aftësi të mira në shah, sesa vetëm inteligjenca e lindur.
Shahu dhe çmenduria
Shahu e stërvit mendjen deri në cakun e gjenialitetit, pastaj duket se e gremis atë në çmenduri. Shahisti i shquar Bobi Fisher konsiderohet prej shumë personave si lojtari më i mirë i shahut në të gjitha kohërat, ai pati një karrierë brilante, por fundi i tij ishte tragjik, ai u çmend. Pol Mërfi pas debutimit të tij triumfues në turin e Europës në vitet 1858-‘59, u kthye më pas në Amerikë dhe hoqi dorë nga shahu. Disa njerëz shprehen se ai është parë të endet rrugëve të Nju Orlinsit i çmendur duke folur me vete. I madh Vilhem Steinitz pretendon se ka luajtur shah me Zotin, i ka dhënë atij një gur tepër dhe përsëri ka fituar. A është e rastësishme lidhja midis shahut dhe çmendurisë? Ka tri shpjegime të mundshme. Njëri prej tyre e tregon shahun si një monomani, (mania për të pasur një pasion të vetëm dhe për ta zhvilluar atë sa më shumë). Personat e ndjekin pasionin e tyre me një intensitet të lartë ditë e natë që nga fëmijëria, me qëllimin e vetëm për të arritur majat e më të lartëve. Ky përqendrim i madh ndikon në mënyrën sesi e shohin realitetin këta njerëz dhe i bën ata që të kenë çrregullime të shumta. Xhorxh Steiner shprehet se një gjeni shahu është një qenie njerëzore me një qëllim të vetëm dhe rëndësia që ky i jep këtij synimi, e bën atë të dobët ndaj simptomave të shumta të stresit dhe iluzioneve. Nga ana tjetër, shahu është një aktivitet abstrakt dhe i mbyllur, i cili zhvillohet mes teorive të shumta që vërviten në mendjen e personit që e luan. Stefan Cvajg i referohet shahut si matematika që nuk nxjerr asnjë konkluzion, si arti pa një vepër, si arkitektura pa përmbajtje. Shpjegimi i fundit për çmendurinë e shkaktuar nga shahu është fakti se në fushën e lojës, shahistët ndiqen këmba-këmbës nga kundërshtarët e tyre, ata janë gjithnjë në presion dhe në ndjekje të njëri-tjetrit. Kjo ndjenjë e të qënurit i vëzhguar gjithnjë nga dikush, ndikon në çrregullimet mendore që shahistët mund të përjetojnë. Fusha bardhezi për profesionistët e shahut nuk është thjesht një tabelë, por një fushë e ëndrrës dhe paranojës. Sipas Federatës Botërore të Shahut, kampioni shqiptar i shahut është Erald Dervishi, i cili mban titullin “Mjeshtër i madh” dhe numëron 2546 pikë, i dyti është Dritan Mehmeti me 2413, ndërsa i treti është Ilir Seitaj me 2392 pikë. Në Shqipëri ka 48 shahistë aktivë, 1 Mjeshtër të Madh, asnjë femër Mjeshtre e Madhe e Shahut, 3 Mjeshtër Ndërkombëtarë, 2 Mjeshtër të Federatës dhe 1 Mjeshtre Femër të Federatës.
Novela e Shahut- Stefan Cvajg
Kur i hodha librit vështrimin e parë, ndjeva dëshpërim dhe u pezmatova aq sa s’bëhet. Ky libër, të cilin e kisha vjedhur me rrezik të madh e që prisja ta lexoja me padurim, nuk ishte tjetër veçse një tekst shahu që përmbante njëqind e pesëdhjetë lojëra të zhvilluara nga shahistët më të përmendur. Po të mos isha i mbyllur brenda katër mureve do të më kapte zemërimi e do ta kisha hedhur librin nga dritarja. Mbase do të kem mundësi të formoj në qelinë time një lloj fushe shahu dhe do të përpiqem t’i përtërij këto lojëra. Çarçafi m’u duk me katrorthe dhe sikur ishte një dhuratë qiellore. E palosa me mjeshtëri çarçafin e m’u bë sikur pashë një fushë të ndarë në gjashtëdhjetë e katër katrorthe. E grisa faqen e parë dhe librin e fsheha nën dyshek. Pastaj, me tulin e bukës që e hiqja nga goja zura të ngjizja mbretin, mbretëreshën dhe figurat e tjera të shahut, të cilat morën trajtë qesharake, e më në fund, pasi kapërceva vështirësi të mëdha munda të formoja mbi çarçafin me katrorthe pozicionet që ishin shënuar në këtë libër. Ditët e para nuk ia dola dot mbanë, në vend të lojës u bë një rrëmujë: m’u desh ta filloja lojën nga e para, pesë, dhjetë, njëzet herë. Po kush kishte më shumë kohë të lirë se unë skllavi që jetonte në zbrazëtirë? Kush, mund të kishte dëshirë dhe durim aq të madh?
/Shkëputur nga libri me novela, i përkthyer nga Klio Evangjeli. / KultPlus.com