Shahini: Ndërprerjet e energjisë po rrezikojnë bizneset, ekonominë dhe sigurinë kombëtare

Kryetari i Aleancës Kosovare të Bizneseve (AKB), Agim Shahini, ka reaguar ashpër ndaj ndërprerjeve të shpeshta të energjisë elektrike, duke vlerësuar se kjo situatë nuk po rrezikon vetëm funksionimin e bizneseve dhe ekonominë e vendit, por edhe sigurinë kombëtare të Kosovës.

Shahini ka theksuar se mungesa e energjisë elektrike ka pasoja të drejtpërdrejta në ndaljen e sistemeve teknologjike dhe të sigurisë, duke krijuar një situatë alarmante për sektorin privat dhe për qytetarët.

“Ndërprerja e energjisë elektrike ka rrezikuar ekonominë, por jo vetëm ekonominë, por edhe sigurinë kombëtare të shtetit të Kosovës, për shkak se kjo ndërprerje është ndërprerje e gjitha aparaturave elektronike dhe elektrike, përfshirë kamerat e sigurisë dhe ndriçimin”, ka deklaruar Shahini.

Sipas tij, gjendja aktuale po rikthen imazhe të një periudhe të vështirë për vendin, duke e krahasuar situatën me vitet e pasluftës.

“Ky terr i ngjason kohës së pasluftës kur në Kosovë dëgjoheshin gjeneratorët. Kjo është e papranueshme për secilin biznes dhe për çdo qytetar që banon dhe jeton në Kosovë”, ka shtuar ai.

Kreu i AKB-së ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të trajtojë me seriozitet të plotë çështjen e furnizimit me energji elektrike, duke theksuar se zgjidhja e kësaj problematike është jetike për stabilitetin ekonomik dhe funksionimin normal të vendit.

“Qeveria e Kosovës duhet të merret seriozisht me këtë çështje”, ka thënë Shahini./FrontOnline