“Sezonin e ardhshëm do të jetë 10-shi i Barcelonës, besoj në Ligën e Kampionëve” – legjenda braziliane bekon Yamalin

Barcelona ka pasur një sezon shumë premtues dhe është në rrugë të mbarë për sukses në të gjitha garat.  

Skuadra e Hansi Flick ka fituar Superkupën e Spanjës dhe synon trofe të tjerë përpara përfundimit të sezonit. 

Sipas Sport, ikona e klubit, Rivaldo, ka reflektuar mbi performancën aktuale të Barcelonës dhe pret që ata të jenë sfidues në Ligën e Kampionëve.  

“Mendova se ishte herët për të folur për favorizimin e Barcelonës, por tani ata po luajnë shumë mirë. Ka shumë ndeshje përpara, por sot e shoh Barcelonën me një shans të mirë për të shkuar larg”, deklaroi ai. 

Rivaldo është impresionuar me sulmin e Barcelonës, duke përfshirë treshen Robert Lewandowski, Lamine Yamal dhe Raphinha, të cilët ai pret të jenë vendimtarë.  

“Lewandowski, Yamal dhe Raphinha kanë gjithçka për të qenë një treshe që bën histori te Barcelona. Mënyra se si ata po luajnë tregon se edhe ekipi është shumë i bashkuar. Nga jashtë mund të shihni se lojtarët janë të lidhur, të përqendruar dhe pa ego brenda ekipit”, deklaroi Rivaldo.  

Rivaldo foli edhe për Lamine Yamal, të cilin ai pret që së shpejti të bëhet lojtari më i mirë në botë. 

“Ai luan sikur të ishte 25 vjeç, me shumë përvojë – luan me lehtësi. Tashmë është thënë se sezonin e ardhshëm do të mbajë fanellën me numrin 10. Me personalitetin që ka, me siguri shumë shpejt do të jetë kandidat për lojtarin më të mirë në Evropë dhe botë. Ai është një lojtar që e admiroj, më pëlqen stili i tij i lojës . Ai është një xhevahir i Barcelonës, një djalë që meriton të gjitha të mirat që po arrin”, deklaroi Rivaldo.