Një vit më parë, Sesko ishte në radarin e Milanit dhe shumë klubeve të mëdha europiane, por befasoi duke rinovuar me Leipzig. Megjithatë, këtë verë ndryshoi mendje dhe nuk mundi t’i rezistonte thirrjes së Manchester United.
Sulmuesi slloven, i lindur më 2003, ka nënshkruar me “Djajtë e Kuq” kontratë 5-vjeçare. Kjo do të jetë eksperienca e tij e parë në Premier League. Klubi i “Old Trafford” ka paguar në total 85 milionë euro, duke mposhtur konkurrencën e Newcastle.
Ja njoftimi zyrtar: “Manchester United ka kënaqësinë të konfirmojë se Benjamin Šeško është pjesë e klubit, në pritje të regjistrimit zyrtar. Sulmuesi slloven ka firmosur kontratë deri në qershor 2030.
Në dy sezonet e fundit, Šeško ka shënuar më shumë gola se çdo lojtar tjetër nën 23 vjeç në 5 ligat kryesore europiane. 22-vjeçari realizoi 21 gola dhe dha 6 asistime me RB Leipzig sezonin e fundit. Me përfaqësuesen e Sllovenisë ka 41 paraqitje dhe 16 gola, duke qenë debutuesi më i ri në historinë e vendit të tij që nga viti 2021”.
Jason Wilcox, drejtori sportiv i Manchester United, deklaroi: “Benjamin ka një kombinim të rrallë të shpejtësisë eksplozive dhe aftësisë për t’i dominuar fizikisht mbrojtësit, çka e bën një nga talentet më të jashtëzakonshme të futbollit botëror.
Ne e kemi ndjekur nga afër karrierën e tij. Të gjitha analizat tona tregojnë se ka cilësitë dhe personalitetin për të shkëlqyer te Manchester United. Nën drejtimin e Ruben Amorim dhe stafit tonë teknik të shkëlqyer, Benjamin futet në një ambient ideal për të arritur potencialin e tij botëror.
Dëshira e të gjitha blerjeve tona të reja për t’u bashkuar me klubin këtë verë tregon tërheqjen dhe prestigjin e Manchester United, ndërsa ne vazhdojmë ndërtimin dhe zhvillimin e një skuadre që mund të garojë për trofetë më të rëndësishëm”.
The post Sesko është zyrtarisht lojtar i ri i Manchester United, transferimi kushtoi 85 milionë euro appeared first on Telesport.