“S’është puna jonë”: ShBA nuk do të ‘merret’ me konfliktin Indi-Pakistan

Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance, ka thënë se ShBA-të do të kërkojnë ulje të tensioneve mes Indisë e Pakistanit, por nuk mund të detyrojnë asnjërën fuqi bërthamore të ‘lënë armët’.

Në komentet e tij gjatë një intervistë të dhënë për Fox News, Vance ka shtuar se luftimet midis tyre “në thelb nuk janë puna jonë”.

“Ajo që mund të bëjmë është të përpiqemi t’i inkurajojmë këta njerëz të ulin tensionet pak, por nuk do të përfshihemi në mes të luftës që në thelb nuk është puna jonë dhe nuk ka të bëjë fare me aftësinë e Amerikës për ta kontrolluar atë”, është shprehur Vance.

Ai tutje ka shtuar se vendi do të “vazhdojë ta ndjekë këtë gjë përmes kanaleve diplomatike”.

Këto komente të Vance janë në përputhje me politikën e jashtme të Donald Trump, “Amerika e para”, që ka bërë thirrje vazhdimisht për një tërheqje të ShBA-së nga roli ndërmjetësues në konfliktet e huaja.

Kujtojmë se Trump dhe Vance kanë paralajmëruar më parë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të heqin dorë edhe nga përpjekja për të ndërmjetësuar një armëpushim në pushtimin rus të Ukrainës nëse të dy palët nuk mund të detyrohen të zhvillojnë bisedime të drejtpërdrejta.