Lëvizja Vetëvendosje nuk po mund të pajtohet me fitoren e PDK-së në Han të Elezit. Kjo parti ka ankimuar fitoren e Mehmet Ballazhit në raundin e parë.
Ndonëse nuk ishte pjesë e zgjedhjeve për kryetar të kësaj komune, partia e Albin Kurtit është ankuar për të dytën herë me radhë, për temën e njëjtë, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).
Derisa ankesa e parë, e dorëzuar 3 ditë pas ditës së zgjedhjeve, ajo është refuzuar nga PZAP-i si e pasafatshme.
Ndërsa, ankesa e dytë është në shqyrtim e sipër.
Me anë të ankesës së fundit në PZAP, VV-ja ka sfiduar fitoren në raundin e parë të kandidatit të PDK-së, Mehmet Ballazhit, i cili e mundur për herë të dytë kandidatin e pavarur, Rufki Suma.
Gazeta Nacionale ka siguruar ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje të datës 27 tetor, të paraqitur kundër rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ në 25 tetor.
Sipas këtyre rezultateve, Ballazhi ka fituar me 2,725 vota (51.26%) kundrejt Sumës me 2,591 vota (48.74%).
Përmes ankesës së saj Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar rivotim në zgjedhjet për kryetar të komunës së Hanit të Elezit me arsyetimin se më 12 tetor është keqpërdorur e drejta e votimit, respektivisht e votimit me asistencë.
Edhe pse e drejta e votës është e fshehtë, VV-ja ka paragjykuar se për cilin kandidat kanë votuar votuesit që kërkuan të asistoheshin në ditën e zgjedhjeve.
Partia e Albin Kurtit pretendon se votimi me asistencë në këtë komunë ka ndikuar drejtpërdrejtë në përjashtimin e kandidatit tjetër nga gara demokratike.
“Derisa dallimi midis kandidatit të parë, fitues i garës zgjedhore pa balotazh dhe kandidatit të dytë është vetëm 134 vota, atëherë del se numri i votave me asistencë në garën zgjedhore të komunës së Hanit të Elezit është 5 herë më i madh se dallimi i votave (134) mes dy kandidatëve në garë”, është thënë në ankesën e VV-së.Vetëvendosje “paralajmëron” PZAP-in dhe KQZ-në
Përmes argumenteve që ka paraqitur, Vetëvendosje ka kërkuar rivotim në të gjitha vendvotimet e komunës së Hanit të Elezit, gjithsej 11.
Por, në këtë ankesë, ky subjekt politik që shquhet për gjuhën e ashpër kundër institucioneve të pavarura, siç janë KQZ dhe PZAP, është përkujdesur që t’i paralajmëroi se çka do të thotë nëse nuk marrin vendim në favor të kërkesës së tyre.
“Shikuar nga perspektiva e votimit me asistencë, relacioni midis numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme dhe të atyre me asistencë, dallimi i votave midis kandidatëve (vetëm 2 kandidatët për kryetar komunë në Han të Elezit), kërkesa për rivotim në të gjitha vendvotimet e Hanit të Elezit është e pashmangshme. Çfarëdo vendimi apo veprimi tjetër i institucioneve kompetente për zgjedhjet, KQZ dhe PZAP, i cili nuk do të përfshijë provat e ofruara nga KQZ nëpërmjet librave të votimit, është veprim i qëllimshëm për dëmtimin, degradimin e procesit zgjedhor, dhe lejim i drejtpërdrejtë i keqpërdorimit të drejtës së votimit në Republikën e Kosovës, njëkohësisht edhe lejim i kryerjes së veprës penale sa i përket të drejtës së votimit”, thuhet në ankesën e VV-së.
Refuzimi i ankesës së parë nga PZAP-i
Pothuajse një ankesë të ngjashme, VV-ja e kishte dorëzuar në 15 tetor në PZAP. Edhe në atë ankesë, VV ankohej për votimin me asistencë.
Sipas Vetëvendosjes, komisionerët e kësaj partie në komunën e Hanit të Elezit, kanë evidentuar një dukuri të pazakontë që ka cenuar drejtpërdrejt fshehtësinë dhe vullnetin e lirë të votuesve.
“Në shumë vendvotime të kësaj komune është regjistruar një numër jashtëzakonisht i lartë i rasteve të votimit me asistencë, përfshirë persona të rinj, të arsimuar dhe pa asnjë arsye të ligjshme për të kërkuar ndihmë gjatë votimit”, thuhej në ankesë.Pasi që kishte shqyrtuar ankesën, në 17 tetor, PZAP kishte arritur në përfundim se ankesa e Vetëvendosjes ishte e pasafatshm. Sipas PZAP-it, afati sipas ligjit për të paraqitur ankesë për parregullësi në vendvotim ishte 48 orë, pra deri në orën 19:00 të datës 14 tetor, ndërsa pala ankuese kishte paraqitur ankesën në 15 tetor.Në vendimin që ka publikuar PZAP, është paraqitur edhe përgjigja që ky institucion ka pranuar nga KQZ, konkretisht nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve.
“Asistimi nuk është dukuri e pazakonët, me fakt është dukuri e zakonshme, në çdo cikël zgjedhor që nga pas lufta, Kosova ka pasur asistim gjatë votimit atë e dallon që ka trend në rënie apo ndoshta numër më të vogël se të gjitha ciklet tjera zgjedhore. Andaj, KKZ siguron që procesi zgjedhor i mbajtur më 12 Tetor 2025 ka qenë i rregullt dhe transparent i vëzhguar nga kamerat e vendosura në çdo vendvotim ashtu edhe nga vëzhguesit e subjekteve politike dhe të atyre ndërkombëtare dhe nuk kemi pasur asnjë ankesë të vetme”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së për PZAP./Nacionale










