“S’është figurë unifikuese”,Kurti s’heq dorë nga Haxhiu, opozita s’’ia voton as nesër

Nesër pritet të mbahet seanca e tetë konstituive e Kuvendit të Kosovës, tentativa e gjashtë për të zgjedhur kryeparlamentare, kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiun.

Edhe të martën pritet që kjo seancë të dështojë, pasi Opozita vazhdon ta ketë qëndrimin e njëjtë, pra nuk japin vota për deputeten Haxhiu, pasi kjo e fundit – siç u deklarua më parë nga krerët e partive të mëdha në Kosovë, nuk është figurë unifikuese.

Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku për Klankosova tha se kjo parti nuk ka ndryshuar qëndrim.

Njëjtë janë deklaruar edhe nga LDK-ja. Deputetja Hykmete Bajrami tha se nuk ka asnjë ndryshim, madje as nuk do të ketë.

Ndërkohë, sa i përket partisë fituese, në këtë rast Lëvizjes Vetëvendosje, nuk ka asnjë emër tjetër për këtë pozitë.

“Propozimi për Haxhiun si kryetare të Kuvendit nuk ndryshon”, tha ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati më 25 prill.

Njësoj janë deklaruar edhe deputetë të tjerë të VV-së të cilët vazhdimisht po fajësojnë Opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Rreth situatës aktuale politike në vend, kryeministri i dorëhequr i Kosovës, Albin Kurti nuk ka komentuar asnjëherë – madje injorimi i tij ndaj gazetarëve të cilët vazhdimisht raportojnë nga Kuvendi, ka vazhduar që nga seanca e parë konstituive.