Serwer: Armatosja e Serbisë paraqet kërcënim për Kosovën dhe vendet tjera të rajonit

Eksperti amerikan për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë se paqëndrueshmëria e Serbisë në vitet e fundit, lidhet me refuzimin e presidentit, Aleksandar Vuçiq, për t’u riformuar.

Në një debat të organizuar nga Instituti Amerikan i Politikave Publike – Fondi Marshall Gjerman i Shteteve të Bashkuara (GMF), Serwer ka thënë mes tjerash se armatosja e Serbisë paraqet kërcënim për Kosovën dhe shtetet tjera të rajonit në Ballkanin Perëndimor, raporton Gazeta Sinjali.

“Kjo ka çuar në demonstrata masive kundër dhunës, kundër korrupsionit dhe pro-mjedisit, kundër qeverisë. Nuk ka gjasa të ketë stabilitet derisa të paktën disa nga këto kërkesa të opozitës të përmbushen. Nocioni se Vuçiqi mund të kapërcejë valën e protestave dhe të imponojë qëndrueshmëri duke përdorur masa gjithnjë e më autokratike, nuk është bindës. Gjithashtu nuk është diçka që SHBA-ja duhet ta mbështesë. Nuk do të ndihmojnë as kërcitjet e vazhdueshme kundër Kosovës. Serbia ka kryer një grumbullim masiv ushtarak, duke përfshirë dronë, mbrojtje ajrore dhe disa Humvee për të mbajtur amerikanët të qetë. Arsyeja e vetme për një riarmatim të tillë është kërcënimi i Kosovës dhe i fqinjëve të tjerë. Asnjë prej tyre nuk kërcënon Serbinë, e cila megjithatë është në ankth për të kontrolluar popullsinë serbe në Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë. Përpjekja për ta bërë këtë shkon me emrin ‘bota serbe’”, është shprehur Serwer.

Sipas tij, deklaratat e ndihmëssekretarit amerikan për Çështje të Evropës dhe Euro-Azisë, James O’Brien, se arritja e stabilitetit në Ballkanit Perëndimor është vështirë të arrihet dhe ka sugjeruar që fokusi të jetë në reforma ekonomike, tregojnë se Ballkani nuk është prioritet për Washingtonin dhe shpërfaq zbutje karshi Serbisë.

“Kur iu drejtua Ballkanit ai theksoi çështjet ekonomike. Kjo ju tregon shumë. Jim dyshon se çështjet politike mund të zgjidhen aktualisht. Jim përpiqet t’i dredhojë zgjedhjet e Beogradit, pasi OSBE-ja nuk i vëzhgoi zyrtarisht ato. Por faktet dihen mirë. Qeveria dërgoi mijëra votues nga Bosnja për të votuar në Beograd, pasi kishte frikë nga humbja. Edhe kështu, ajo nuk fitoi 50 për qind të vendeve. Se kush do të qeverisë atje është ende e paqartë. Jim e trajton rezultatin si shenjë reforme dhe jo mashtrim. Ky është një shembull shqetësues i zbutjes amerikane ndaj presidentit serb Vuçiq”, ka thënë Serwer.

Ai ka theksuar se Washingtoni dhe Brukseli duhet t’i thonë Beogradit se “bota serbe” është mallkuar dhe ngritja ushtarake duhet të ndalet.

Related Posts