Serie A, edhe 8 ditë nga starti. Ja projeksionet për titullin, Kupa e Europës dhe mbijetesën

Serie A do të rikthehet pas 8 ditësh. Juventusi e hap kampionatin kundër Parmës, vetëm 54 ditë pas eliminimit nga Real Madridi në Botërorin e Klubeve. Pikërisht, kompeticioni amerikan dhe ngarkesa fizike mund të ndikojnë te Juventusi dhe Interi.

Lufta për titull – Napoli është favoriti kryesore: vjen si ekipi kampion në fuqi, me Conten në stol, që ka një vit pune pas dhe një skuadër të përforcuar (De Bruyne, Lang, Lucca, Beukema). Interi mbetet rivali kryesor, por ekipi i Chivu duhet të përballojë lodhjen e sezonit të kaluar dhe ende i mungon një “goditje” vendimtare në merkato, ndoshta Lookman. Pas zikaltërve, Juventusi dhe Milani nuk mund të përjashtohen. Sa iu takon kuqezinjve, ata duhen konsideruar në garën e titullit për traditë, merkaton e zhvilluar kësaj vere dhe rikthimin e një trajneri (Allegri) me 6 tituj kampioni në Itali.

Lufta për Europën – Kandidatët e sigurt për Champions janë Napoli, Inter, Milan, Juve dhe Roma. Në garë janë edhe Atalanta, Fiorentina, Lazio e Bologna. Surpriza e mundshme? Como e Fabregas, e përforcuar dhe ambicioze, që synon të paktën “Conference League”. Roma duhet të bëjë hapin përpara, pas vendit të pestë në sezonin e kaluar, ndërsa Fiorentina e Commisso ka investuar fort. Lazio e Sarrit mund të përfitojë nga mungesa e Kupave të Europës, njësoj si Milani. Bologna pret të befasojë me rikthimin e Immobile, ndërsa Atalanta duket në vështirësi pas humbjes 4-0 me Këlnin.

Lufta për mbijetesë – Udinese rrezikon pas largimit të Lucca, Thauvin dhe Bijol. Më të vështirë e kanë tri skuadrat e sapongjitura: Pisa e Gilardinos (me afrime si Cuadrado e Nzola), Sassuolo me Berardin e përjetshëm dhe Cremonese e Nicola, që shpreson te mbrojtja me Baschirotto. Genoa e Vieira duket më e qetë, ndërsa Verona, Cagliari, Parma dhe Lecce janë në rrezik. Hellas Verona ka humbur shumë titullarë, Parma ka humbur Bonny e Sohm, Lecce mund të mbetet pa Krstovic dhe kërkon gola nga i riu Camarda.

The post Serie A, edhe 8 ditë nga starti. Ja projeksionet për titullin, Kupa e Europës dhe mbijetesën appeared first on Telesport.