Seriali politik “Kosova ‘25” gati për sezonin e ri

Por, një del mbi të gjithë të tjerët: riparimi i besueshmërisë me partnerët kyç: SHBA-në, BE-në dhe NATO-n, sipas Lulzim Pecit, nga Instituti Kosovar për Kërkim dhe Zhvillim të Politikave.

Jo me deklarata për konsum të brendshëm, por me një zotim të qartë për koordinim të disiplinuar, sidomos në fushën e sigurisë, në veri dhe në dialog, thotë ai.

Vetëm pasi të rregullohen raportet me aleatët, Peci thotë se Kosova mund të mendojë seriozisht për hapin tjetër: një agjendë të dakorduar me vendet e Quint-it dhe Bashkimin Evropian, që do ta nxirrte vendin nga statusi i përhershëm i pritjes për anëtarësim në Këshillin e Evropës, për status kandidati në BE dhe për avancim gradual të partneritetit me NATO-n.

Prioriteti i tretë, ndonëse më pak spektakolar politikisht, sipas Pecit është po aq jetik: energjia.

Ndërtimi i kapaciteteve të reja energjetike, përfshirë gazin dhe teknologjitë e avancuara në sektorin e thëngjillit, është kusht për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe për pavarësi reale energjetike, sipas tij.

Në linjë të ngjashme e vendos listën e prioriteteve edhe Ilir Deda, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, por pa shumë diplomaci.

Sipas tij, Qeveria e re do të duhet të hyjë menjëherë në një plan të përbashkët me shtetet e Quint-it për të zgjidhur disa nga nyjat më të mëdha të bllokimit ndërkombëtar të Kosovës: anëtarësimin në Këshillin e Evropës, formalizimin e marrëdhënies me NATO-n, shqyrtimin e aplikimit për anëtarësim në BE dhe pa anashkaluar përmbushjen e obligimeve për themelimin e Asociacionit funksional të komunave me shumicë serbe.

Por, politika e jashtme dhe dialogu nuk mund të shkëputen nga realiteti i brendshëm.

Deda thotë se pa një pako serioze socio-ekonomike, që do ta stimulonte realisht sektorin privat dhe do të sillte rritje të prekshme të të ardhurave për qytetarët – përfshirë edhe pensionet – çdo agjendë tjetër rrezikon të jetë e zbrazët.

E, prioriteti i tretë, ndoshta edhe më i ndjeshmi politikisht, sipas tij lidhet me kthimin e mirëbesimit te popullata serbe në Kosovë, veçanërisht në veri.

Deda thekson nevojën për masa konkrete dhe të menduara mirë në këtë drejtim – përfshirë komunikimin e hapur dhe adresimin e vërejtjeve që janë ngritur nga komuniteti serb në Kosovë.

Programet zgjedhore të partive politike i përfshijnë thuajse të gjitha këto, dhe jo vetëm.

Ka oferta për zhvillim, për stabilitet, për dinjitet institucional, por shumë pak shpjegime se si do të arrihen, e pothuajse asnjë garanci se këtë herë do të jetë ndryshe.

Retorika është e njohur, tonet e njëjta, fajtorë gjithmonë të tjerët.

Edhe nëse gjithçka shkon sipas afateve ligjore, javët e para pas zgjedhjeve nuk premtojnë asnjë frymëmarrje.

Numërimi i votave, shpallja e rezultateve, ankesat, certifikimi – secili hap ka kalendarin e vet dhe secili pritet t’i mbajë institucionet të zëna deri në grykë.

Dhe sikur kjo të mos mjaftonte, muajt e parë të vitit hapin edhe një kapitull tjetër të ndjeshëm: zgjedhjen e presidentit të ri të vendit.

Një proces që, në kontekstin aktual politik, vështirë se mund të kalojë pa kalkulime.

Por, me afrimin e vitit të ri, shpresat dhe pritjet për të ardhmen gjithmonë rriten.

Në më pak se dy muaj, Kosova mbush 18 vjet dhe hyn në moshën madhore të shtetësisë.

Kjo, mbase, mund të shërbejë si një moment për reflektim, për pjekuri politike dhe për vendime të guximshme që e forcojnë vendin si brenda, ashtu dhe jashtë kufijve.