Sërgjan Lazoviq dënohet me 12 vjet e 6 muaj burgim për krime lufte në Panorc të Malishevës

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për krime lufte në Panorc të Malishevës, Sërgjan Lazoviq, duke e dënuar me 12 vjet e 6 muaj burgim.

Aktgjykimi u shpall të martën nga kryetari i trupit gjykues, Vesel Ismaili me anëtarët Ngadhnjim Arrni dhe Kushtrim Shyti, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Gjykatësi Ismaili tha se Lazoviq është fajtor dhe dënohet me 12 vjet e 6 muaj burgim, në të cilin dënim i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë i vazhdohet deri në ploftuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më gjatë se dënimi i shqiptuar.

Obligohet i akuzuari që të paguajë shpenzime e procedurës penale, për paushallin gjyqësor 200 euro dhe 100 euro të tjera për fondin për kompenismin e viktimave të krimit, në afat prej 15 ditësh nga dita e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.

Të dëmtuarit për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest juridiko-civil.

Prezent në shpallje ishte i akuzuari Lazoviq me mbrojtësit e tij, avokatët Feride Xani, Predrag Milkoviq dhe Nebojsha Vllajiq, si dhe prokurori Armend Zenelaj.