Anlisti politik, pjesëtari i shoqërisë civile, Agon Maliqi ka thënë se dinamikat në Ballkan mund të ndryshojnë nga përpjekjet strategjike ShBA-Rusi.
Maliqi, në një analizë të hënën pas votimit të ShBA-së përkrah Rusisë kundër rezolutës që dënon agresionin rus ndaj Ukrainës, tha se përçarja mes ShBA-së dhe Bashkimit Evropian, ndonëse e vendos Kosovën në ‘sanduiç të vështirë’, mund t’i japë përparësi vendit për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Përmbyllja e luftës në Ukrainë me gjasë nuk do të përfundojë në mënyrë ideale për këtë të fundit dhe mund ta lërë Evropën në afat të mesëm dhe të gjatë të brishtë nga kërcënimet prej Rusisë. Përçarja BE-SHBA gjithashtu e vë Kosovën në sanduiç të vështirë. Por nuk është e thënë se momentumi gjeopolitik do të shkojë edhe në dëm të Kosovës”, tha Maliqi.
Ai tha se ShBA-ja dhe Rusia mund të adresojnë edhe mospajtimet në Ballkan.
“Nga përpjekja strategjike SHBA-Rusi për zgjidhje të kontesteve dypalëshe mund të adresohen edhe mospajtimet në Ballkan. Kjo pjesërisht mund ta shpjegojë edhe shqetësimin e Serbisë, vizitën e Gjuriq në Moskë dhe pozicionimin e saj të sotëm kundër Rusisë dhe SHBA në OKB”, tha Maliqi.
“Kthimi i Ballkanit në arenë kontesti mes BE-SHBA mund t’i bëjë pak presion produktiv edhe Evropës që ta zhbllokojë Kosovën dhe integrimin e Ballkanit në BE. Pozicioni i Kosovës forcohet edhe nga rikthimi i Britanisë në kampin evropian të sigurisë përmes dialogut strategjik Gjermani-Francë-Britani”.
Sipas Maliqit, interesi i Kosovës është i qartë: ta mbajë ShBA-në të angazhuar në Ballkan.
“Interesi i Kosovës është që ta mbajë SHBA-në të angazhuar në Ballkan dhe në anën e saj si partner të sigurisë, por gjithmonë me konsideratë për rreshtimin me vlerat e BE-së dhe me synim të heqjes së pengesave për integrim evropian si synim strategjik. Kushdo që sot bën thirrje për shpërfillje të SHBA është në rastin më të mirë amater, e në rastin më të keq aventurist i poshtër ideologjik”, tha ai.